Barcelona zyrtarizon një tjetër lojtar, ka kushtuar plot 65 mln euro

Sport

Raphinha është zyrtarisht një lojtar i Barcelonës. Me anë të një njoftimi në kanalin zyrtar, klubi katalanas ka njoftuar se braziliani ndodhet në Spanjë për të kryer vizitat mjekësore, e për t’u bashkuar më pas me pjesën tjetër të skuadrës.

Ky transferim, i ka kushtuar Barcelonës plot 65 mln euro, shumë që do shkojë direkt në arkat e Leeds United, klub në të cilin, Raphinha bënte pjesë që prej 2 sezonesh.

Në Camp Nou, 26 vjeçari do firmosë një kontratë 5 vjeçare, teksa pritet të kthehet në një ndër elementët më të rëndësishëm të trajnerit Xavi Hernandez.

Sikurse thuhet në deklaratën e vet klubit, Raphinha konsiderohet një futbollist tepër I rrezikshëm në krahun e sulmit dhe tipari më dallues I tij është driblimi në duelet një për një.

Përgjatë aventurës së tij 2 vjeçare në Elland Road, Raphinha u aktivizua 67 ndeshje me skuadrën e Leeds, duke shënuar një total prej 17 golash. Në merkaton e kësaj vere, për shërbimet e tij, u interesuan edhe dy skuadra të tjera, sikurse ishin Chelsea dhe Arsenali.

Mirëpo, asnjë prej klubeve të Premier League nuk arriti të siguronte dot shërbimet e brazilianit. Kur në mes ndërhyri Barcelona, atëherë situata mori tërësisht një tjetër rrjedhë. Dëshira e lojtarit ishte të transferohej në Camp Nou, një dëshirë, që tashmë u kthye në realitet.