Barcelona vs Shakhtar Donetsk, TS2 HD, 18:45

Sport

Xavi Hernandez, trajneri i Barcelonës:
“Kjo është një ndeshje mëse e rëndësishme për ne. Nëse duam të kualifikohemi në raundin e 1/8-tave, atëherë duhet të fitojmë sonte dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Përballë do të kemi një kundërshtar të vështirë, një skuadër shumë dinamike dhe që di të luajë pa frikë. Për këtë arsye, jam i bindur se nuk do të jetë aspak e lehtë. Shakhtari meriton respekt maksimal, sidomos për atë që po ndodh në Ukrainë. Ata po kalojnë shumë kohë larg shtëpive dhe familjeve të tyre, diçka që është shumë e vështirë. Shakhtari udhëhiqet nga një trajner si Dario Srna, të cilin e njoh dhe e admiroj. Njoh disa lojtarë të tyre, pasi Shakhtari është një skuadër që na ka surprizuar në të shkuarën. Sa i përket ekipit tonë, një pjesë e mirë lojtarët janë të dëmtuar dhe nuk do të jenë gati për sonte, por kam besim se disa prej dyte do të rikthehem të Shtunën ndaj Real Madrid. Arbitrat? Duhet t’i lëmë në paqe që të bëjnë punën e tyre. Sigurisht që ata bëjnë gabime, që ndonjëherë mund të jenë në favorin tënd dhe ndonjëherë kundër teje. Megjithatë, ata kanë nevojë për përkrahje. Unë besoj në sinqeritetin e punës së tyre dhe s’më pëlqen që ata të jenë kaq shumë nën presion.

Ferran Torres, lojtari i Barcelonës:
“Barcelona është një klub, ku gjithmonë duhet të fitosh dhe të luash mirë. Gjithësesi, një domosdoshmëri e tillë, nuk duhet të na shpërqendrojë që të mendojmë për të ardhmen, por duhet të kemi synim vetëm ndeshjen e radhës. Dua të them se dueli ndaj Shakhtarit është mjaft i rëndësishëm për ne. Duhet të punojmë mirë që të marrim 3 pikë, në mënyrë që t’i afrohemi sa më shumë të mundemi kualifikimit në raundin e 1/8-tave të Champions League. Mendoj se jam një lojtar i rëndësishëm, që mund të ndihmoj skuadrën të arrijë rezultate pozitive. Jam gati për të marrë më tepër përgjegjësi në fushën e lojës. Kam kaluar disa probleme psikologjike, që kanë ndikuar në performancat e mia në tapetin e blertë. Megjithatë, çdo gjë i përket së shkuarës dhe jam krenar që mund të merrem si shembull për lojtarët e rinj, të cilët mund të jenë duke kaluar një moment të vështirë sa i përket shëndetit mendor.Marc Guiu? Ai na surprizoi në fundjavë, teksa shënoi vetëm pak sekonda pasi ishte aktivizuar në fushë. Talenti i tij është për t’u admiruar. Në çdo seancë stërvitore e ka treguar se Guiu është një lojtar që mund të shënojë gola dhe të bëjë diferencën pikërisht atëherë kur ne kemi nevojë.”

Dario Srna, trajneri (i përkohshëm) i Shkahtar Donetsk:

“Para së gjithash dua të them se kemi arritur marrëveshje me një trajner të ri.  Ai është Marino Pusic dhe besoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur, duke afruar në skuadër një strategy, i cili do të ketë shumë sukses këtu. Ai ka nisur menjëherë nga puna, e madje ka kryer edhe një seancë teorike me grupin e lojtarëve. Sa i përket ndeshjes së mbrëmjes së sotme, nuk ka dyshim se kjo është shumë e rëndësishme për ne. Po, është e vërtetë që Barcelonës do t’i mungojnë një sërë lojtarësh për shkak të problemeve fizike, por Barcelona mbetet Barcelona. Nga ana tjetër, nuk duhet të harrojmë se edhe ne kemi 3-4 mungesa, si pasojë e dëmtimeve. Kundërshtarin e kemi analizuar deri në detaje dhe do të përpiqemi ta ndëshkojmë në pikën e tij më të dobët, ndërsa do të përpiqemi maksimalisht të përballojmë forcën e tyre. Sonte është shumë e domosdoshme që futbollistët tanë të zbresin në fushë me një gjendje të shëndoshë psikologjike, të jenë të relaksuar dhe gati për të luajtur një ndeshje të madhe futbolli. Përgjatë muajve të fundit, vijmë nga nje periudhë e vështirë, sepse nuk kemi luajtur futbollin të duhet të luajmë. Ndërrimi i trajnerit sigurisht që ka sjellë luhatje në totalin e performancave. Nga lojtarët e mi kërkoj që të luajnë ashtu sikurse Shakhtari di të luajë dhe të argëtohen, sidomos kur përballë është një kundërshtar si Barcelona.”

Heorhii Sudakov, mesfushori i Shakhtar:

“Trajneri i ri? Kam një ndjesi pozitive. Me Marino Pusic patëm një seancë teorike dhe të gjithë mbetëm të mahnitur. Para së gjithash, ai është një person i mirë dhe që shpërndan energji pozitive. E pritëm mirë idenë që për 15 minuta të dëgjonim shkurtimisht filozofinë e tij të lojës. Madje, mund të them se vetëm në ato 15 minuta kuptuam më shumë se stërvitja që kemi bërë përgjatë 3 muajve të fundit.

Barcelona? E dimë se sonte do të vuajmë, sepse na pret një ndeshje e vështirë, ndaj një kundërshtari që gjithmonë di të të vendosë në vështirësi. Në ndeshjen e fundit të tyre, pashë një lojtar 17 vjeçar, i cili realizoi golin e fitores. Kjo do të thotë se academia e Barcelona punon në mënyrë të shkëlqyer në përzgjedhjen dhe rritjen e lojtarëve të talentuar.

Futbolli ka arritur në një pikë, ku mosha nuk ka edhe aq shumë rëndësi. Shumë lojtarë, nga 17, apo 18 vjeç e kanë treguar tashmë që kanë potencial dhe karakter për të luajtur në nivele shumë të larta.”