Barcelona vs Borussia Dortmund, TS2 HD, 21:00

Sport

Hansi Flick, trajneri i Barcelonës:

“I kemi të qarta idetë se si do të luajmë sonte. Mendoj se në çerekfinale, dëshira është të luash ndaj çdokujt, të kualifikohesh dhe jo të shkosh në shtëpi. Kjo do të jetë një ndeshje e vështirë. Borussia Dortmund është një kundërshtar i vështirë, i qëndrueshëm dhe me forcë sulmuese. Duhet të tregojmë kujdes në këtë pjesë, por gjithashtu edhe në fragmente të tjera të lojës.

Kam shumë besim në skuadrën time. Dukemi në formë dhe jemi përmirësuar në mënyra të ndryshme. Po i përgjigjemi kalendarit në mënyrën më të mirë të mundshme, kështu që jemi gati edhe për sonte.

Favoritët? Ne mund të ëndërrojmë, por lojtarët dhe ne trajnerët, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Duhet të shohim se çfarë kemi arritur deri më tani, duke u bazuar në punën tonë të palodhur që kemi bërë. Por, ky nuk duhet të jetë fundi, pasi synimi është për të arritur më tepër se kaq. Duam të mbetemi të pamposhtur këtë sezon, por për ta bërë këtë, duhet të performojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Nuk jam shumë i interesuar për suksesin në të shkuarën. Unë jetoj të tashmen, sepse kjo ka më shumë rëndësi. Champions League është kompeticioni më i madh europian i klubeve dhe në duam të arrijmë suksesin më të madh të mundshëm.”

Gavi, mesfushori i Barcelonës:

“Po presim me padurim të luajmë këtë ndeshje. Kjo është hera e parë për mua që luaj në një çerekfinale të Champions League dhe të gjithë bashkë, jemi të motivuar për të fituar. Me trajnerin Hansi Flick kam një marrëdhënie shumë të mirë. Ne e kuptojmë mjaft mirë njëri-tjetrin. Mendoj se sezoni im po shkon në mënyrë spekatkolare, duke marrë parasysh që jam rikthyer nga një dëmtim i gjatë. Trajneri ka besim tek unë dhe për këtë gjë jam i lumtur.

Ne po përjetojmë një edicion spektakolar, por nuk ndihemi të pamposhtur. Duhet t’u qasemi gjërave me përulësi dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kështu që duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Natyrisht që kjo ecuri ka emocionuar edhe tifozët, sepse ne po bëjmë gjëra të mira. Megjithatë, nuk duhet të nxitohemi. Po punojmë për t’i mbajtur tifozët të lumtur dhe të fitojmë sa më shumë tituj të mundemi.”

 

Niko Kovaç, trajneri i Borussia Dortmund:

“Barcelona është një skuadër mjaft e fortë, por është gjithashtu një ekip që ka edhe pika të dobëta, për të cilat nuk dua të flas shumë. Kemi ardhur këtu me synimin për të fituar ndeshjen. Hansi Flick? E njohim mjaft mirë njëri-tjetrin dhe kemi një respekt reciprok. Po ashtu dimë edhe pikëpamjet rreth futbollit mbi njëri-tjetrin. Për këtë arsye nuk pres të ketë ndonjë surprizë. Unë e njoh Hansin shumë mirë dhe e di se synimi i tij nuk është të tifojë tripletë, por ai do vetëm një gjë; të bëjë një punë të mirë. Mendoj se ai është përshtatur mjaft mirë në skuadrën e Barcelonës. Stili i tij i lojës është mjaft sulmues dhe një lojë e përbërë nga një teknikë e lartë. Këtë gjë e kemi parë qoftë gjatë kohës kur ishte pjesë e Bayernit, apo edhe kur ishte në krye të kombëtares gjermane të futbollit. Ai dëshiron ta mbajë topin sa më larg portës së tij dhe ka arritur të përshtatet mjaft mirë në këtë drejtim. Ai gjithnjë shkonte me pushime në Spanjë dhe mendoj se është një admirues i madh i këtij vendi. Lamine Yamal? Çfarë mund të them për një futbollist të tillë. Ai është i jashtëzakonshëm. Është rritur në këtë ambient dhe mendoj se ka një karrierë të madhe përpara. Nuk do të jetë e lehtë të luajmë kundër tij, por kjo ndeshje nuk ka të bëjë me ndalesën e vetëm një lojtari. Ne kemi ardhur këtu për të marrë një rezultat pozitiv. Sa i përket kësaj përballjeje, Barcelona është favorite, por Dortmundi është finaliste e edicionit të kaluar, diçka që askush nuk e priste. Kemi punuar fort dhe kemi luftuar për të arritur këtu ku jemi. Fakti që nuk jemi favoritë, kjo nuk do të thotë që kundërshtari e ka më të lehtë për të luajtur ndaj nesh. Kemi besim dhe kemi shansin të kualifikohemi në gjysmëfinale të Champions League.”

Ëaldemar Anton, mbrojtësi i Dortmundit:

“Jemi të emocionuar për këtë ndeshje dhe po presim me padurim të zbresim në fushën e lojës. E dimë se do të përballemi me një kundërshtar të fortë, por ne kemi besim se mund të bëjmë gjithashtu gjëra të mëdha. Kemi luftuar fort për të mbërritur deri në këtë pikë dhe ambicia është të shkojmë në gjysmëfinale të Champions League.

Lamine Yamal? Nuk jemi përgatitur ndryshe nga herët e tjera. Lojtarët e rinj bëjnë gjëra të mahnitshme në fushë dhe ndonjëherë është e vështirë të përshtatesh me to. Por, nëse punojmë si skuadër, atëherë mund të mbrohemi edhe ndaj këtyre lojtarëve gjithashtu.

Mungesa e Schlotterbeck? Sigurisht, fakti që ai nuk do të jetë, është një mungesë dëm i madh për ne, pasi ai është mëse i rëndësishëm për këtë skuadër, qoftë në fushën e lojës, ashtu edhe jashtë saj. Do të thoja se Schlotterbeck meriton notën 10 si lojtar dhe si person. Sonte duam të marrim një rezultat pozitiv edhe për të, pasi ai po përgatitej gjithashtu për të luajtur në këtë ndeshje.”