Barcelona vendos shumën që kërkon për Antoine Griezmann

Sport

I përfshirë në një tratativë për afrimin e Neymar apo një largim i thjeshtë, e vetmja gjë e sigurtë për momentin është se Antoine Griezmann nuk është i paprekshëm tek Barcelona. Pas vetëm një sezoni tek katalanasit, francezit mund t’i tregohet dalja nga dera kryesore, pas një sezoni që ishte larg pritshmërive të drejtuesve apo të tifozëve të klubit. Barcelona është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për Lautaro Martinez të Inter, teksa Neymar mbetet ‘ëndrra e madhe’. Sidoqoftë, vështirë se për Griezmann do të ketë një rol protagonisti në sezonin e ardhshëm. Për të lejuar largimin e tij, mediat pranë Barcelonës zbulojnë edhe cmimin që kërkojnë drejtuesit e klubit për kartonin e kampionit të botës. Të gjitha skuadrat që kërkojnë të marrin shërbimet e Griezmann, duhet të paguajnë tek Barcelona 100 milionë euro, 20 milionë më pak se sa shuma që katalanasit shpenzuan për ta marrë nga Atletico Madrid. Ekipet e interesuara për kartonin e tij janë të shumta, por pas një sezoni disi në hije, një transferim i Griezmann jashtë Katalonjës mbetet gjithësesi një operacion i komplikuar.