Barcelona vazhdon të ëndërrojë rikthimin e Lionel Messit

Sport

Barcelona vazhdon të ëndërrojë për rikthimin e Lionel Messit. Trajneri i skuadrës katalanase, Xavi Hernandez, është shprehur se klubi është gati të mirëpresë rikthimin e legjendës argjentinase, teksa ka theksuar se një gjë e tillë varet vetëm prej vetë futbollistit.

“Rikthimi i Messit varet 99% vetëm prej tij. Nëse ai do që të vijë këtu, atëherë ne do të bëjmë gjithçka të mundur që kjo të realizohet. Mendoj se kushtet janë optimale që ai të rikthehet dhe jam i bindur se mund të na ndihmojë shumë për të arritur synimet tona”, janë fjalët e numrit një të stolit në “Camp Nou”.

Kontrata aktuale e Messit me PSG është e vlefshme vetëm edhe për një tjetër muaj, çka do të thotë se pas muajit Qershor, kampioni i botës do të jetë një lojtar i lirë. Për të ardhmen e 7 herë fituesit të Topit të Artë është folur shumë. Nuk kanë munguar komente se ai mund të rikthehet në Argjentinë. Po ashtu, një ofertë stratosferike me rreth 400 mln euro në sezon ka trokitur drejt tij nga Arabia Saudite. Ndërsa alternative tjetër dhe më e besueshmja është rikthimi në Barcelonë.

Klubi katalanas është i rrethuar me probleme financiare, megjithatë, drejtuesit më të lartë, përfshirë këtu edhe trajnerin Xavi, janë shprehur se terreni është gati që Messi të rikthehet. Mirëpo, që kjo të ndodhë, mediat e huaja, bëjnë me dije, se Messi duhet të pranojë një ulje drastike të pagës së tij, në mënyrë që Barcelona të përballojë kostot dhe të jetë brenda kontureve të limiteve financiare.