Fakte dhe statistika interesante u shënuan të mërkurën mbrëma në përmbysjen historike të Barcelonës. Kështu katalanasit u bënë e para skuadër që përmbys një rezultat 4-0 në ndeshjet me eliminim direkt. Barcelona u bë gjithashtu e para skuadër që arrin kuotën e 300 fitoreve në kupat e Evropës. Një histori suksesi që vazhdon prej vitesh në radhët e klubit 5 herë fitues të Champions League-ës. Në fakt me kualifikimin e arritur në Camp Nou, skuadra e Luis Enriques shënoi të 10-in sezon radhazi që kalon në cerek-finalet e këtij kompeticioni duke u bërë klubi me ecurinë më pozitive në të gjitha kohërat. Por përvec klubit, fakte interesante u shënuan edhe nga lojtarët në fushë. Kështu me golin e parë në minutën e 3-të, Luis Suarez shkoi në kuotën e 65 realizimeve në 64 ndeshje që ai ka zhvilluar në Camp Nou, një statistikë e jashtëzakonshme që shpjegon më së miri lidhjen e fortë që kanë tifozët me uruguaianin. Braziliani Neymar me dy gola shkoi në kuotën e 21 realizimeve në Champions League, duke kaluar Patrick Kluivertin dhe duke u bërë i treti golashënues i katalanasve në Evropë. Klaivert aktualisht është Drejtor Sportiv pikërisht i PSG. Në tërësi u deshtën vetëm 436 sekonda që Barcelona të arrinte kualifikimin me 3 gola pas minutës së 88-të. Përgjatë këtij fragmenti final të lojës, PSG kreu vetëm 4 pasime, tre prej të cilave ishin nisje topi nga gjysmë-fusha. Ndërkohë që goli i kualifikimit erdhi në minutën e 95-të, pas një goditje dënimi, të fituar nga portieri Marc-Andre Ter Stegen, i cili ndodhej në gjysmë-fushën kundërshtare, dicka që s’ishte parë kurrë më parë.