Barcelona pritet të dëgjojë ofertat për lojtarin që e konsideronte të ardhmen e klubit

Sport

Ansu Fati nuk konsiderohet më i paprekshëm për Barcelonën. Madje, klubi katalanas është gati të dëgjojë ofertat për djaloshin në fjalë. Vetëm 20 vjeç, Fati konsiderohej si pasardhësi i Lionel Messit në “Camp Nou”. Madje, pas largimit të argjentinasit, Fati mori edhe fanellën me numrin 10-të, një tregues ky se klubi e konsideronte atë si qendrën e projektit për të ardhmen.

Mirëpo, brenda një kohë të shkurtër, situata në ndryshuar, ndoshta rrënjësisht. Forma jo e mirë fizike e spanjollit, ka bërë që në klub të kenë dyshime për të. Trajneri Xavi Hernandez nuk e konsideron si një lojtar titullar, por në shumicën e rasteve e aktivizon disa minuta në fund.

Si pasojë, ndonëse sulmuesi ka një kontratë të vlefshme deri në 2027-tën, Barcelona është gati të dëgjojë ofertat për Ansu Fati, vlera e të cilit në merkato, aktualisht konsiderohet 35 mln euro sipas transfermarkt. Në krahasim me 3 edicione më parë, shihet një rënie drastike e vlerës së kartonit të tij. Në 2020-tën, Ansu Fati cilësohej 80 mln euro dhe atëherë ishte vetëm 17 vjeç.

Një tjetër element që Barcelona po mendon shitjen e futbollistit në fjalë, është edhe ai ekonomik. Klubi po kalon një situatë të ndërlikuar financiare përgjatë kohëve të fundit. Për të mundësuar blerje të reja në merkato, Barcelona duhet të shesë me patjetër, sepse në të kundërt do të jetë e bllokuar.

Kësisoj, Fati është një prej lojtarëve më të shtrenjtë të ekipit, e si pasojë, largimi i tij, do të krijonte mundësinë për të tjera përforcime.