Barcelona “prek” titullin kampion në Spanjë

Sport

Kur deri në mbyllje të sezonit në Spanjë, kanë mbetur edhe 8 javë për t’u luajtur, Barcelona ka “prekur” titullin kampion, që do të jetë I 27-ti në historinë e klubit. Fitorja 1-0 e xhiros së 30-të ndaj Atletico Madrid I ka dhënë fund në këtë mënyrë, çdo dyshimi të ngritur përgjatë ditëve të fundit, pas dy barazimeve të njëpasnjëshme të katalanasve.

Në “Camp Nou”, kuqeblutë triumfuan me rezultatin 1-0 ndaj Atleticos, me golin e vetëm që u shënua në të 44-tën minutë të pjesë së parë nga Ferran Torres. Kjo është ndeshja e 10-të e Barcelonës në La Liga, e fituar me rezultatin minimal 1-0. Rekordi mbahet nga Valencia dhe Sevilla, që në sezonet  1988/89 dhe 2020/21  kanë marrë nga 11 fitore 1-0 brenda një edicioni futbollistik.

Në anën tjetër, kjo ishte ndeshja e 15-të radhazi që trajneri I Atleticos, Diego Simeone nuk fiton në “Camp Nou” ndaj Barcelonës, duke u kthyer në këtë mënyrë, në pritjen më të gjatë, sesa ndaj çdo kundërshtari tjetër.

Në javën e 30-të, ka arritur të fitojë edhe Real Madrid, që në “Santiago Bernabeu”, mposhti 2-0 ekipin e Celta Vigos. Los Blancos kanë mbetur 11 pikë prapa rivalit historik, Barcelonës, e në këtë mënyrë, është thjesht çështje kohe që të dorëzojnë kurorën e kampionit në fuqi.