Barcelona një hap më pranë titullit kampion në Spanjë. Katalanasit vazhdojnë sezonin e tyre historic në La Liga. Në javën e 33, ata mposhtën me rezultatin minimal 1-0 skuadrën e Osasunës, në një ndeshje ku edhe një herë tjetër, e mbajtën portën të paprekur.
Në këtë mënyrë, Barcelona ka shkuar në 25 ndeshje pa pësuar gol këtë sezon në kampionat. Për të kuptuar se çfarë arritje mund të konsiderohet kjo statistikë për 26 herë kampionët e Spanjës, mjafton të përmendim këtu që në 5 ligat kryesore të kontinentit, vetëm Chelsea në sezonin 2004/05 e ka mbajtur portën në 25 ndeshje pa pësuar gol brenda një sezoni të rregullt.
Për momentin, rekordi mbahet nga Deportivo La Coruna në edicionin e largët 1993/94, me 26 ndeshje pa pësuar gol. Sidoqoftë, ky është një rekord që pritet të thyhet shumë shpejt nga Barcelona, duke marrë parasysh që deri në fund, kanë mbetur edhe 5 javë për t’u luajtur. Në xhiron e ardhshme, katalanasit mund të shpallen kampionë të Spanjës, në derbin ndaj Espanjolit, duke qenë se Real Madrid i vendit të dytë, ka mbetur 14 pikë prapa.
Në javën e 33, Los Blancos, u mposhtën 2-0 nga Real Sociedad në transfertë. Me mungesa të shumta, Ançelotti hodhi në fushë një formacion me lojtarë kryesisht të stolit, sidomos në sulm, por skuadra kryeqytetase nuk i bëri dot ballë asaj baske.
Në 9 ndeshje ndaj Real Madrid, trajneri i Sociedad, Imanol Alguacil ka marrë 12 pikë ndaj Los Blancos, duke regjistruar 3 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Që nga sezoni 2018/19, asnjë trajner tjetër nuk ka marrë më tepër pikë ndaj Realit sesa Alguacil.