Barcelona po dobëson garën për titullin kampion në Spanjë

Sport

Barcelona ka nisur ta dobësojë garën për titullin kampion në Spanjë. Na javën e 21 të La Ligas, katalanasit arritën një fitore mjaft të rëndësishme në transfertën e Villarreal, me rezultatin minimal 1-0.

Golin e vetëm për ekipin blaugrana e shënoi Pedri në minutën e 18-të të pjesë së parë. Ky ishte finalizimi I 6-të sezonal I mesfushorit këtë sezon. Golat e shënuar prej tij, I kanë dhënë 10 pikë Barcelonës këtë edicion dhe bashkë me Borja Iglesias janë dy lojtarët e vetëm të kampionatit që me finalizimet e tyre u kanë dhënë kaq shumë pikë skuadrave përkatëse.

Fitorja e arritur në stadiumin e “Nëndetëses së Verdhë”, ishte e 11-ta radhazi për Barcelonën e drejtuar nga Xavi Hernandez. Në këtë mënyrë, numri një I stoli katalanas ka barazuar ecurinë më të mirë që kishte arritur më parë Pep Guardiola me skuadrën blaugrana.

Me fjalë të tjera, nëse Barcelona fiton ndeshjen e radhës, ndaj Machester United në play-off-in e Europa League, atëherë, Xavi do të bëhet trajneri me ecurinë më të mirë në historinë e klubit katalanas.

Ky sukses në “Estadio de la Ceramica”, e ka ngjitur Barcelonën në kuotën e 56 pikëve, në krye të tabelës së klasifikimit, 11 më tepër sesa Real Madrid I vendit të dytë, por madrilenët kanë luajtur një ndeshje më pak.