Gerard Pique zyrtarizoi të hënën kontratën e re me Barcelonën duke mbyllur përfundimisht çdo spekulim që përflitej në të kaluarën. Shtatlarti 30-vjeçar ka nënshkruar një zgjatje të kontratës deri në vitin 2022. Ajo çka shtypi sportiv parashikonte, është tashmë e sigluar. Plot 500 milionë euro klauzolë dhe Pique do të përmbushë kështu një qëndrim prej 14 vitesh në radhët e Barcelonës. “Kam qenë këtu që kur kam lindur, klubin e Barcelonës e kam si shtëpinë time. Eshtë klubi i jetës sime dhe jam shumë i lumtur për këtë kontratë të re” – tha Pique. Kampioni i Botës dhe Evropës me Spanjën, kaloi nga skuadrat zinxhire te Manchester United në vitin 2004. Më pas pati një huazim te Real Zaragoza, përpara se të rikthehej me katalanasit në 2008-ën. Me 425 ndeshje dhe 36 gola me Barçën, Pique cilësohet si njeriu kyç i skuadrës blaugrana. Shpesh i ashpër me komentet dhe qartazi i pozicionuar politikisht edhe pro-pavarësisë së Barcelonës, ai është mjaft i mbështetur nga tifozeria. Në fakt së fundmi pasi i cilësoi rivalët e Espanyolit thjesht periferikë, ka nxitur mjaft debate. Komenti me etiketimin “Espanyol de Corenella” pas humbjes 1-0 në Copa del Rey u refuzua të tërhiqej edhe në ditën e ripërtëritjes së kontratës. Ndërkohë Pique tha ndër të tjera se Camp Nou do të mbushet edhe më shumë, pasi skuadra po bën mirë dhe objektivët janë dukshëm të arritshëm këtë sezon, kampionati, kupa e mbretit por edhe Champions League-a.