Barcelona pëson një humbje shokuese

Sport

Barcelona pëson një humbje shokuese në javën e 32 të La Ligas. Në Camp Nou, katalanasit u mposhtën 1-0 nga Cadiz. Golin e vetëm të takimit e realizoi Lucas Perez në minutën e 48-të. Që pas këtij momenti, rezultati mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Kjo ishte fitorja e parë e Cadizit në Camp Nou, diçka që nuk kishte mundur ta bënte dot asnjëherë në histori përgjatë viteve të shkuara. Me këtë 3 pikësh gati-gati jetik, andaluzianët dalin nga zona e kuqe e tabelës së renditjes dhe tashmë klasifikohen në vendin e 16-të të tabelës së kuotën e 31 pikëve. Megjithatë, duhet ende shumë punë për të siguruar mbijetesën për ekipin e drejtuar nga Sergio Gonzalez.

Ndërkohë, në krahun tjetër, kjo ishte humbja e parë e Barcelonës pas 7 fitoresh radhazi në kampionat. Katalanasit e tregojnë edhe një herë tjetër se e vuajnë jashtëzakonisht mungesën e Pedrit në mesfushë, i cili aktualisht nuk është i disponueshëm, për shkak të një tërheqjeje muskulore.

Përgjatë këtij sezoni futbollistik, kur Pedri ka qenë në formacion, blaugranat kanë arritur të grumbullojnë 32 nga 36 pikë të mundshme. Kur djaloshi nuk ka qenë në dispozicion, nga 57 pikë të mundshme, Barcelona kë marrë vetëm 28. Në këto kushte, skuadra e drejtuar Xavi Hernandez, mbetet në vendin e 2-të në kuotën e 60 pikëve, me një ndeshje më tepër për të rikuperuar.