Barcelona përgatit shkarkimin e Setien në fundin e sezonit, gati Xavi Hernandez

Sport

Çështja ‘titull’ në ‘La Liga’ ka trazuar jo pak gjërat tek skuadra e Barcelonës. Barazimi me Celta Vigon i dha një goditje të fortë katalanasve, që tashmë e shohin veten pas rivalëve të Real Madrid, me një diferencë prej 2 pikësh. Për më tepër, ndeshja e radhës për Barcelonës është një nga më të vështirat në ‘La Liga’, pasi sfidojnë Atletico Madridin e Diego Simeones. Një humbje ndaj ‘los rojiblancos’, do t’i jepte fund shpresave të katalanasve për të fituar titullin kampion, kur kanë mbetur në total edhe gjashtë javë për t’u luajtur në fushë. Sipas asaj që raportojnë burime pranë klubit ‘blaugrana’, trajneri Setien jo vetëm që ka humbur besimin e lojtarëve në dhomat e zhveshjes, por tashmë nuk gëzon as mbështetjen e drejtuesve të klubit. Mediat kanë filluar të flasin që tani për një shkarkim të Setien, diçka që tek katalanasit e kanë planifikuar ta bëjnë sapo të përfundojë sezoni aktual. Në fakt, edhe tifozët e shohin thuajse të sigurt largimin e Setien, ndërsa kanë filluar spekulimet se kujt do t’i besohet stoli kësaj here. Xavi Hernandez dhe Ronald Koeman, njësoj si në janar, janë alternativat kryesore për stolin e Barçës, ndërsa së fundmi po merret në konsideratë emri i trajnerit të Barcelonës B, Xavi Garcia Pimienta. Koeman ka përsëritur se kërkon t’i shkojë deri në fund aventurës së tij në ‘Kampionatin Europian’ me kombëtaren holandeze, teksa Xavi Hernandez mbetet dëshira kryesore e drejtuesve të Barcelonës. Që nga koha e Pep Guardiolas, në krye të katalanasve nuk kemi parë asnjë emër të madh të trajnimit, prandaj një mes Koeman apo Xavi, mund të niste një epokë të re për ekipin ‘blaugrana’.