Barcelona nuk ka ndërmend të ndalet në merkato. Pasi nënshkroi me Arturo Vidal, skuadra katalanase vazhdon të jetë në kërkim të një tjetër mesfushori. Paul Pogba mendohet të jetë dëshira e madhe e blaugranave, me agjentin e tij, Mino Raiola që është i gatshëm të shtyjë francezin drejt një kalimi në Spanjë.
Siç raporton “Goal”, në zyrat e drejtuesve të Manchester United ka mbërritur një ofertë prej 50 milionë eurosh plus kartonat e dy futbollistëve. Lojtarët në fjalë mendohen të jenë portugezi Andre Gomes dhe Yerry Mina, i cili ndonëse ka pranuar kalimin tek Everton, po mbahet pezull për momentin pikërisht për këtë arsye. Megjithatë kjo ofertë është hedhur poshtë menjëherë nga “djajtë e kuq”, pasi Jose Mourinho nuk ka ndërmend të heq dorë nga një prej lojtarëve më të mirë në skuadër. Por kjo nuk e ndalon Mino Raiolan që të vazhdojë të punojë për një lëvizje të mundshme të kampionit të botës, pasi PSG mund të jetë e gatshme të paguajë çfarëdo shifre që kërkojnë tek Manchester United për kartonin e Paul Pogba.
Në Angli flitet se është pikërisht transferimi i fundit i Barcelonës, Vidal, që falë marrëdhënieve të mira që ka me 25-vjeçarin francez, po përpiqet ta bindë për transferim në “Camp Nou”.