Barcelona nuk ka vend për rikthimin e Lionel Messit

Sport

Pas eliminimit nga UEFA Champions League në raundin e 1/8-tave, mediat spanjolle raportuan se ylli argjentinas mund të largohej nga PSG, për t’u rikthyer edhe një herë tjetër në Camp Nou.

Në lidhje me këtë temë, ka folur vetë presidenti i klubit katalanas, Joan Laporta, i cili është shprehur se Barcelona e merr aspak në konsideratë një rikthim të Messit.

“Nuk kam marrë ndonjë mesazh nga Messi për të ardhur sërish këtu. Madje, as ne nuk jemi të interesuar që ai të rikthehet sërish. Po ndërtojmë një skuadër të re, të ndërthurur me lojtarë me eksperiencë”, ka thënë numri një i klubit spanjoll.

Më tej, Laporta, njëkohësisht është shprehur se largimi i Messit nga Camp Nou ishte një vendim shumë i vështirë, por ai është marrë për të mirën e klubit, pasi nuk mund të rrezikohej më tepër me situatën financiare. Me fjalë të tjera, presidenti ka thënë se largimi i Messit ishte zgjedhja e duhur.

Që prej transferimit të tij në Parc des Princes përgjatë verës së kaluar, 7 herë fituesi I Topit të Artë ka hasur jo pak vështirësi në sezonin e parë në Francë, aty ku deri më tani ka shënuar vetëm 7 gola në të gjitha garat me PSG.