Barcelona ka nisur operacionin për të rikthyer Neymarin në Camp Nou. Ishte ky lajmi i raportuar nga portali i mirënjohur sportiv “Goal.com” gjatë së enjtes. Sipas burimeve të saja, katalanasit kanë nisur tashmë kontaktet me të njohur të brazilianit për t’i propozuar atij transferimin e mundshëm. Kujtojmë se prej kohësh është përfolur se 26-vjecari ka dëshirë të kthehet pasi kampionati francez nuk i jep atij asnjë përmbushje sportive. Nga ana tjetër edhe te klubi katalan atij asnjëherë s’ia kanë mbyllur derën duke e shprehur vazhdimisht dëshirën që lojtari në një të ardhme të ribashkohej me ish-skuadrën e tij. Lojtarë dhe madje edhe drejtues nuk e kanë fshehur këtë gjë.
Neymar u transferua në Paris në vitin 2017 sipas një manovre ekonomike të PSG që i prishi kontratën prej 222 milionë eurosh me katalanasit. Gjithcka ishte “ok”, por probleme nisën në organikë me Cavanin ndërsa së fundmi konkurrenca me Mbappen është lakuar disi penguese për lojën e Neymar. Sipas “Goal.com” për këtë arsye përfaqësues të brazilianit kanë mbajtur kontakte me drejtues të Barcelonës. Por interesante është se sipas këtij raportimi, te Barcelona kanë dy kushte për Neymarin, së pari ai duhet të pranojë publikisht se bëri gabim që u largua dhe së dyti duhet të ulë pagën e majme që merr në Paris. Në Francë 26-vjecari merr 40 milionë në sezon. E pra nëse ka dicka të vërtetë në këtë mes, sipas katalanasve braziliani duhet të tregojë nëse në thellësi i intereson vërtetë sporti apo thjesht paraja.