Barcelona në merkato, katalanasit nuk ndahen nga Lewandowski dhe Morata

Sport

Barcelona nuk heq dorë nga Robert Lewandowski. Katalanasit janë të vendosur që në sezonin e ardhshëm, sulmuesi të vishet me fanellën blaugrana. Për ta bërë të mundur këtë, gjigantët e La Ligas janë të gatshëm të paguajnë një shumë të konsiderueshme në arkat e Bayern Munich.

Sikurse raportojnë mediat spanjolle, Barcelona ka gati 35 milionë euro për Lewandowskin, vetëm e vetëm që ky i fundit të zbarkojë në Camp Nou.

Polaku ka edhe një vit të mbetur në kontratë me bavarezët, mirëpo të paktën deri tani, mes palëve ekziston një ngërç që nuk po i lejon të vazhdojnë më tej bashkëpunimin. Në fakt, vetë dëshira e lojtarit është të provojë një aventurë të re në karrierë, diçka që e ka shprehur edhe më herët në deklaratat e tij të ndryshme.

Këtë moment, kërkon ta zhfrytëzojë në maksimum Barcelona, që po përpiqet me të gjitha mënyrat për ta bindur 33 vjeçarin të bëhet pjesë e skuadrës.

Më tej, blaugranat kanë edhe një tjetër alternativë për repartin e sulmit. Bëhet fjalë për Alvaro Moratan. Në merkaton e janarit të këtij viti, spanjolli ishte shumë pranë transferimit në Camp Nou. Diçka të tillë, e konfirmoi vetë lojtari pak ditë më parë. Mirëpo, ishte trajneri Massimiliano Allegri ai që e bindi lojtarin të mbetej në Torino. Megjithatë, Barcelona po e monitoron ende situatën e Mortatas, I cili për momentin është në pronësinë e Atletico Madrid.