Barcelona ne CAS per Arda Turan

Sport

arda-turan-44075
Barcelona duket se do ta çojë deri në fund betejën e saj për ta aktivizuar më përpara mesfushorin turk Arda Turan. Sipas raportimeve të fundit katalanasit do ta dërgojnë çështjen e lojtarit të tyre në arbitrazhin sportiv, qoftë të Spanjës ashtu edhe të Evropës. Me situatën e tanishme, Barcelona nuk mund ta federojë kartonin e Arda Turan, të cilin e transferuan nga Atletico e Madridit këtë verë. Shërbimet e tij nuk mund të shfrytëzohen deri në janar, kjo për shkak të bllokadës që i ka vendosur Barcelonës FIFA. Klubi spanjoll ka thyer rregullat për sa i përket transferimit të minorenëve dhe tashmë kjo gjë po i kushton shtrenjtë katalanasve.
Pas lëndimit të brazilianit Rafinha, Barcelona i kërkoi Federatës Spanjolle të Futbollit por edhe FIFA-s, nëse mundnin që ta zëvendësonin lojtarin e tyre me Arda Turan. FIFA e refuzoi këtë kërkesë, por Barcelona duket se do t’i shkojë deri në fund, kjo pasi rregullorja e përcakton se klubet mund t’i ndryshojnë federimet lojtarëve të tyre në rast lëndimesh. Me këtë hendek në rregullore katalanasit shpresojnë të tejkalojnë bllokadën e FIFA-s në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të Zvicrës, pasi listës së të lënduarve tashmë i janë shtuar edhe Iniesta e Messi.