Barcelona mund të rinovojë me trajnerin, Gavi rrezikon të largohet nga klubi

Sport

Barcelona është gati të rinovojë kontratën me trajnerin Xavi Hernandez. Marrëeshja aktuale e 43 vjeçarit skadon në verën e 2024-tës, mirëpo klubi katalanas dëshiron që ish-mesfuhsori të mbetet në stol për një kohë të gjatë.

Sikurse raportojnë mediat spanjolle, palët kanë biseduar për një gjë të tillë dhe në fund, kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të hedhur të zezën mbi të bardhë. Gjithçka do të zyrtarizohet shumë shpejt, por kjo do të ndodhë pasi të përfundojë ky edicion futbollistik.

Barcelona është në rrugën e mbarë për të fituar titullin kampion, çka do të ishte edhe i pari për trajnerin Xavi, i cili për momentin, është tërësisht i përqendruar në këtë mission dhe nuk preferon të shpërqendrohet nga asgjë tjetër.

Në momentin që Barcelona të zyrtarizohet si kampione e Spanjës, diçka që duket thjesht çështje kohë, atëherë do të jetë edhe momenti i përkryer për të zyrtarizuar edhe rinovimin e Xavit.

Mirëpo, në Barcelonë po ndodhin edhe ngjarje aspak të pëlqyeshme për tifozët katalanas. Këtu fjala është për lojtarin e talentuar, Gavi. La Liga e ka çregjistruar futbollistin nga skuadra e parë e Barcelonës, e po ashtu i ka hequr edhe numrin 6-të, duke i dhënë atë 30.

Në Shtatorin e vitit që lamë pas, klubi dhe lojtari arritën një marrëveshje mes tyre për të rinovuar kontratën, mirëpo situata e rënduar financiare e Barcelonës, ka bërë që La Liga të mos e pranojë rinovimin e Gavit, sepse shkonte përtej limitit financiar që ka vendosur qeveria e futbollit spanjoll.

Me fjalë të tjera, në verë, Gavi mund të largohet si një lojtar me parametra zero. Në kushte si këto, klubi katalanas duhet të kryejë me patjetër shitje futbollistësh për të normalizuar situatën financiare, e për të bërë të mundur rinovimin e kontratës së Gavit.