Barcelona mund të rinovojë kontratën me mesfushorin De Jong

Sport

Frankie De Jong do të vazhdojë të luajë për Barcelonën. Mesfushori, përgjatë viteve të fundit, ishte kthyer në një prej lojtarëve më të komentuar të organikës blaugrana, dhe përflitej se ai do të largohej nga Camp Nou. Për një kohë të konsiderueshme, klubi nuk e kishte të përfshirë në project, kështu që e ardhmja e hollandezit, kishte nisur të projektohej diku tjetër dhe kështu, klube të ndryshme me peshë të Europës, nisën të interesoheshin për emrin e tij. Megjithatë, kjo gjë ka nisur të ndryshojë gradualisht pasi Hansi Flick u emërua trajner i skuadrës. De Jong është padyshim në planet e teknikut gjerman, i cili e cilëson atë shumë të rëndësishëm për skemat e tij të lojës. Nga ana tjetër, edhe vetë mesfushori është i kënaqur me rëndësinë që po merr nën komandën e takticienit gjerman dhe ndihet komod me filozofinë e lojës. E në kushte si këto, situata tani ka ndryshuar 180 gradë. Mediat në Spanjë, raportojnë se e ardhmja e Frankie De Jong do të jetë në Barcelonë, çka do të thotë se shumë shpejt, palët do të ulen në tavolinë dhe do të nisin diskutimet për rinovimin e kontratës. Marrëveshja aktuale mes palëve përfundon në 2027-tën, kurse përditësimi parashikohet të bëhet për disa vite të tjera. Gjithashtu, në kontratë, do të përfshihet edhe një përmirësim në termat financiarë. De Jong, është pjesë e Barcelonës që prej verës së 2019-tës, atëherë kur u transferua në Camp Nou për shifrën e 85 milionë eurove nga Ajaksi i Amsterdamit.