Barcelona ka triumfuar 1-0 në takimin e fundit të turneut amerikan, teksa ia dolën të rezistonin ndaj Milanit, në një ndeshje mjaft të luftuar. Edhe pse një miqësore, të dyja skuadrat u përpoqën të merrnin më të mirën në një stadium të mbushur plot, me sinjalin e parë që u dha në minutën e 12. Pas një goditjeje nga këndi, Jules Kounde tentoi një goditje të fortë drejt portës, por u ndal nga shtylla. Milani provoi të reagonte 6 minuta më vonë, kur Loftus-Cheek shërbeu si duhet Reijnders, por ky i fundit nuk ia doli të mposhtte portierin Pena. Më pas ishte Raphinha ai që tentoi me një goditje të fortë nga distanca, por gjeti një Maignan të përgatitur, ndërkohë që Reijnders u bë sërish protagonist me një gjysmë-krosim, por që nuk u shfrytëzua nga askush e që nuk shënjestroi as portën. Në fundin e pjesës së parë, ishte Rafael Leao që la pas Kounde, duke dalë i vetëm me portierin, por njësoj si Reijnders, edhe portugezi nuk finalizoi si duhet. Edhe në fillimin e fraksionit të dytë, ishte Leao që dha sinjalin e parë, por vetëm 5 minuta pas tentativës së yllit të Milanit, erdhi dhe goli mjaft i bukur i Ansu Fati, i ardhur nga stoli. Barcelona kërkoi dyfishimin e rezultatit, por Romeu nuk ishte i saktë në tentativën e tij me kokë, ndërkohë që goli i Araujo u anullua për një pozicion të parregullt. Shansi më i mirë për Milanin për të barazuar erdhi në minutën e 76-të, kur Rafael Leao frymëzoi një aksion mjaft të rrezikshëm. 24-vjeçari shërbeu mirë drejt qendrës së zonës, ku në mënyrë të pabesueshme, Reijnders nuk ia doli të konkretizonte. Në fundin e sfidës, të dyja skuadrat luajtën më të hapura, por pa e ndryshuar rezultatin final, që shkoi në favor të katalanasve.