Barcelona: “Messi do të gjobitet nëse vazhdon mungesat në stërvitje…”

Sport

Lionel Messi vijon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave anembanë botës për shkak të krisjes së marrëdhënies së tij me drejtuesit e Barcelonës. Argjentinasi ka kërkuar largimin nga klubi ku shkroi historinë dhe theu rekorde të panumërta, me Manchester City që shihet si klubi favorit për të firmosur me të.

Drejtuesit e skuadrës katalanase nuk kanë ndërmend ta lejojnë lehtësisht largimin e 6 herë fituesit të ‘Topit të Artë’, ndonëse vetë Messi këmbëngul që klubi ta lejojë të largohet. Për këtë arsye, 33-vjeçari nuk është paraqitur në stërvitjen e parë me trajnerit Ronald Koeman dhe sipas asaj që zbulojnë burime pranë lojtarit, Messi nuk ka ndërmend të vijë në asnjë prej stërvitjeve të skuadrës.

Por siç raportojnë mediat, ky vendim mund të kushtojë jo pak për Messin. Nëse ‘La Pulga’ do të vijojë të mos paraqitet në seancat stërvitore të Barcelonës, atëherë klubi do të nisë gjobitjen e tij. Sipas rregullores që ka klubi katalanas, në raste të tilla, lojtari në fjalë mund të gjobitet deri në 25% të pagës mujore.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by FC Barcelona (@fcbarcelona) on

Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe vetë liga spanjolle ka një rregullore të saj në lidhje me rastet të tilla, prandaj Messi rrezikon të gjobitet edhe nga ana e federatës. Mediat spanjolle shtojnë se sulmuesi e ka marrë parasysh edhe çështjen e këtyre ndëshkimeve dhe se ka angazhuar avokatët e tij për të zgjidhur situatën.

Barcelona vijon me përpjekjet për ta mbajtur lojtarin pjesë të skuadrës, por vështirë se Messi do të tërhiqet nga vendimi i tij për t’u larguar nga Katalonja. Lionel Messi është pjesë e Barcelonës prej thuajse 20 vitesh. Argjentinasi është kthyer në legjendën e klubit ‘blaugrana’ dhe për këtë arsye, ndarja e tij me Barcelonën është e vështirë për t’u përtypur nga ana e drejtuesve dhe tifozëve katalanas.