Barcelona merr e vetme kreun e tabelës së klasifikimit në La Liga. Në javën e 26 të kampionatit, katalanasit fituan bindshëm 4-0 ndaj Real Sociedad, rezultat që në fakt, u ndikua edhe nga një karton i kuq i dhënë në dëm të ekipit bask, në minutën e 17.
Nga një moment i tillë do të kalonin vetëm 8 minuta dhe Barcelona zhbllokoi sfidën, me anë të Gerard Martin, me mbrojtësin, i cili shënoi kësisoj edhe golin e tij të parë me fanellën blaugrana.
Katër minuta më vonë, do të ishte edhe radha e Marco Casados, i cili dyfishoi rezultatin.
Në pjesën e dytë, Ronald Araujo shënoi gjithashtu, kurse për herë të fundit, rrjetën e përshëndeti golashënuesi më i mirë i La Ligas, Robert Leëandoëski, i cili tashmë ka shkuar në kuotën e 21 finalizimeve.
Kjo fitore me goleadë e skuadrës katalanase, e ka një shpjegim; këtë edicion futbollistik, në 40 ndeshje në të gjitha kompeticionet, Barcelona ka shënuar një total prej 124 golash. Të paktën në 65 vitet e fundit, kaq shumë gola në 40 takime të luajtura, nuk ka mundur t’i shënojë dot asnjë skuadër tjetër e La Ligas. Rekordin e mban Real Madrid, pikërisht në sezonin 1959/60.
Si pasojë, Barcelona është ngjitur e vetme në vendin e parë të La Ligas në kuotën e 57 pikëve, duke përfituar në maksimum nga humbja 2-1 e Real Madrid ndaj Real Betis, në tokën andaluziane. Kjo ishte disfata e katërt sezonale në kampionat për Los Blancos, të cilët në këtë mënyrë kanë zbritur në vendin e 3 të renditjes me 54 pikë.
Në vendin e dytë është Atletico Madrid, që me fitoren 1-0 të arritur ndaj Athletic Bilbaos, ka shkuar 56 pikë, 1 më pak sesa Barcelona. Kur deri në fund të kampionatit spanjoll kanë mbetur edhe 12 javë të tjera, gara për titullin kampion është bërë mëse interesante.