Barcelona, Laporta i qëndron planit për ‘Super League’, thotë se është i domosdoshëm

Sport

‘European Super League’ për momentin mbetet thjesht një ide e disa klubeve të ashtuquajtur si ‘rebelët’ e futbollit në kontinent. Megjithatë, fjalët e Florentino Perez se plani i krijimit të kësaj lige nuk ka vdekur, por është shtyrë, tani gjejnë mbështetje edhe nga një president tjetër i një klubi të madh. Numri 1 i Barcelonës, Joan Laporta, është shprehur se pavarësisht të gjitha arsyetimeve të UEFA-s, FIFA-s apo të tifozëve të skuadrave, krijimi i ‘Super League’ për momentin është diçka e domosdoshme. Laporta përsëriti fjalët e thënë nga Perez prej disa ditësh, duke deklaruar se klubet e mëdha meritojnë të fitojnë më shumë, në bazë të meritës sportive dhe se për asnjë moment, klubet e përfshira në këtë lëvizje nuk kanë menduar të braktisin kampionatet respektive. Për këtë arsye, Laporta siguron se komunikimi me UEFA-n do të jetë i vazhdueshëm. Sa i përket planit për krijimin e kësaj lige, edhe Laporta është i mendimit se asgjë nuk është mbyllur, por thjesht ka mbetur pezull për momentin. Problemet financiare të disa prej klubeve më të mëdha në Europë i janë faturuar keqmenaxhimit të UEFA-s, që nga ana tjetër vazhdon t’i qëndrojë idesë për mbështetje të barabartë mes këtyre klubeve dhe atyre që cilësohen si më të vogla. Barcelona në fakt është një prej skuadrave me më shumë borxhe të akumuluara gjatë këtyre sezoneve, aq sa në disa momente është folur edhe për një falimentim të klubit. Ndërsa presidenti i UEFA-s , Ceferin u shpreh pak kohë më parë se e kuptove pozitën e Laporta-s, pasi i duhet të përballet me borxhe në klub që nuk janë për faj të tij.