Barcelona kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League

Sport

Barcelona kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League. Në çerekfinale, katalanasit eliminuan Borussia Dortmund, me rezultatin e përgjithshëm 5-3. Pasi fituan 4-0 në ndeshjen e parë në shtëpi, akti i kthimit për katalanasit u duk se do të ishte një shëtitje në Signal Iduna Park. Megjithatë, nuk rezultoi kështu.

Dortmundi fitoi 3-1 në shtëpi, në një ndeshje të cilën e kontrolloi më mirë se kundërshtari dhe vazhdimisht ishte në tentativë për të realizuar të tjerë gola. Ai që shkëlqeu dhe që bëri diferencën për Dortmundin, ishte Serhou Girassy. Sulmuesi i qendrës është lojtari i parë afrikan që shënon tregolësh ndaj Barcelonës, e po ashtu lojtari që ka shënuar më tepër gola brenda një sezoni ndaj skuadrës katalanase, plot 5, duke marrë parasysh këtu dygolëshin e realizuar në fazën e ligës.

Megjithatë, në fund, Dortmund ii dha kështu fund aventurës në Champions League, kurse Barcelona kualifikohet në gjysmëfinale, për të 13-tën herë në historinë e klubit dhe për herë të parë që nga viti 2019-të.

Po ashtu, kjo ishte humbja e parë për ekipin katalanas në vitin 2025 në të gjitha kompeticionet.

Pas ndeshjes, trajneri i Barcelonës, Hansi Flick u shpreh mëse i lumtur për biletën e siguruar në raundin tjetër të kompeticionit.

“U kualifikuam dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Është fantastike për klubin që kemi shkuar në gjysmëfinale të Champions League, diçka që është një sukses më vete dhe jam mjaft i lumtur për këtë gjë. Luajtëm ndaj një Dortmundi të shkëlqyer, që na e bëri jetën të vështirë, por në fund, me rëndësi është që u kualifikuam. Duhet të shohim përpara”, ka thënë ndër të tjera trajneri gjerman.