Barcelona kualifikohet në finalen e Superkupës së Spanjës

Sport

Barcelona kualifikohet në finalen e Superkupës së Spanjës. Me kompeticionin që po zhvillohet në Arabi, në gjysmëfinale, skuadra katalanase mposhti me rezultatin 2-0 Athletic Bilbaon. Golat për ekipin e drejtuar nga Hansi Flick, i shënoi Gavi dhe Lamine Yamal, nga një në secilën pjesë. Ky ishte goli i shtatë sezonal i shënuar nga Yamal në të gjitha kompeticionet, duke barazuar kësisoj numrin e golave të realizuar në ediconin e shkuar; mirëpo, ndryshimi është se vjet, për ta dërguar topin 7 herë në rrjetë, 17 vjeçarit iu deshën të luante 50 ndeshje, krahasuar me vetëm 22 që ka luajtur deri më tani.

Barcelona shkon në finale, si skuadra që ka shënuar më shumë gola në të gjitha kompeticionet në 5 ligat kryesore të Europës. Katalanasit numërojnë 78 finalizime, 5 më tepër sesa Chelsea i vendit të dytë. Pastaj vjen Bayern Munich me 72 gola, ndërsa 5 vendet e para plotësohen nga Liverpool dhe Real Madrid me nga 70 dhe 65 gola.

Më tej, Barcelona do të luajë finalen e 27 në Superkupën e Spanjës në historinë e klubit. Katalanasit janë skuadra më e titulluar e kompeticionet me 14 trofe, duke lënë pas rivalët e Real Madrid, me 13 tituj. Mirëpo, gjithashtu, Barcelona është skuadra me më shumë finale të humbura në Superkupë, duke dalë plot 12 herë si humbëse nga fusha e lojës.