Franck Kessie shihej gjithnjë e më pranë rikthimit të tij në Itali, ku thuhej se e priste skuadra e Juventusit, por mesa duket një skenar i tillë nuk do të ndodhë. Mesfushori është pranë transferimit tek Al Ahli, me skuadrën saudite që pasi ka gjetur një akord paraprak me lojtarin, është në rrugë të mbarë për firmosur dokumentet edhe me Barcelonën. 26-vjeçari, me anë të përfaqësuesve të tij, thuhet se ka pranuar propozimin e bërë nga Al Ahli, për një kontratë që do ta mbajë të lidhur me klubin saudit për 3 vite, nga ku lojtari do të përfitojë një pagë prej plot 20 milionë eurosh në sezon. Padyshim që për mesfushorin, kjo është një ofertë e parefuzueshme në aspektin financiar, teksa pritet që në orët në vazhdim të gjendet edhe një akord mes dy klubeve sa i përket kartonit të tij. Për momentin, oferta e Al Ahli tek Barcelona shkon në shifrën e 15 milionë eurove. Katalanasit në anën tjetër kërkojnë të bindin klubin saudit të shtojë këtu edhe disa bonuse, për t’u afruar me kërkesën fillestare të Barçës, që është 20 milionë euro. Të dyja palët janë shfaqur optimiste se një marrëveshje do të gjendet shumë shpejt, pasi vullneti i të gjithëve është që Kessie të transferohet në Arabinë Saudite. Tek skuadra e Al Ahli, ai do t’i bashkohet një grupi kampionësh me Riyad Mahrez, Roberto Firmino, Saint-Maximine dhe Edouard Mendy. Lojtari ndërkohë thuhet se ka biseduar edhe me drejtuesit e Barcelonës dhe trajnerin Xavi, që e kanë bërë të qartë se mesfushori nga Bregu i Fildishtë nuk ka një rol të konsoliduar tek ekipi ‘blaugrana’. Kjo, ka qenë një arsye më shumë se pse Kessie ka pranuar ofertën e Al Ahli, duke ‘zhgënjyer’ në një farë mënyre Juventusin, që po ashtu kishte bërë hapa konkretë për transferimin e tij. Mirëpo bardhezinjtë e kishin bërë të qartë tek drejtuesit e Barcelonës se afrimin e Kessie, e kërkonin me formë huazimi, me të drejtë blerjeje. Një formulë të ngjashme kishte propozuar edhe ata të Tottenham, që po ashtu kishin shfaqur një interes për mesfushorin. Barcelona gjithësesi kërkon të bëjë sa më shumë arkëtime dhe padyshim që oferta e Al Ahli i shkon më shumë përshtat klubin katalanas.