Ernesto Valverde (Trajner i Barcelonës)
Pres që kundërshtarët tanë të jenë disi më agresivë në presingun për topin, edhe sepse luajnë në shtëpinë e tyre. Janë një skuadër e mirë që u pëlqen ta dominojnë lojën, diçka që i ka sjellë suksesin që ka patur deri më tani. Vijnë në një formë të mirë, ndaj ndeshja do të jetë mjaft e luftuar. Do të presim vlerësimet që do të vijnë nga stërvitja sa i përket aktivizimit të Messit. Na duhet ta shohim si do të ndihet ai pas dëmtimit që kaloi. Ne po vazhdojmë përgatitjen e ndeshjes dhe nuk po mendojmë për asgjë tjetër tani. Patjetër që duam ta sigurojmë kualifikimin sa më shpejtë të jetë e mundur, por ende asgjë nuk ka mbaruar. Sot mendoj se do të jetë një ndeshje e ngjashme me ato që Inter luan në kampionatin italian; një sfidë me intensitet, me luftë të fortë për kontrollin e topit. Mund të na duhet të vuajmë disi në këtë aspekt. Nainggolan është një lojtar i rëndësishëm dhe ne e dimë këtë. Ai jep shumë për skuadrën e tij, por do të presim rreshtimin që ata do të bëjnë në fushë. Më pëlqen Interi pasi janë vërtet një skuadër e guximshme.
Sergi Roberto (Mesfushor i Barcelonës)
E dimë shumë mirë se nëse fitojmë sot, atëherë do fitojmë grupin. Sezonin e kaluar, performancat tona jashtë fushe nuk ishin nga më të mirat, por e treguam në ‘Ëembley’ se kjo gjë ka ndryshuar. Është e rëndësishme për ne të sigurojmë vendin e parë. Do të jemi të përqëndruar që ta kalojmë këtë thjesht si ndeshja e radhës për ne. Do përpiqemi të luajmë lojën tonë. Është gjë e mirë që do të kemi edhe Messin. Është lajmi më i mirë para kësaj ndeshje pasi ai është lojtari më i mirë në botë. Nuk e di nëse do të luajë, por prezenca e tij bën mirë për shpirtin e skuadrës. Unë do të jem i gatshëm të bëj çdo gjë për të ndihmuar skuadrën. Kemi rezultate të mira dhe duam të vazhdojmë kështu. Është e vërtetë që këtë sezon pësojmë më shumë gola, por jemi në krye të kampionatit dhe grupit në Champions League. Do jemi kritikë ndaj vetes në këtë aspekt e të përmirësohemi akoma më shumë.