Barcelona fiton Superkupën e Spanjës, shkatërron Realin në El Clasico

Sport

Barcelona fiton Superkupën e Spanjës, duke shkatërruar në finale rivalin historic, Real Madrid. Në El Clasicon e luajtur në Arabinë Saudite, katalanasit fituan me rezultatin 5-2, diçka që përgjatë viteve, tashmë e ka kthyer në traditë.

Kjo ishte Superkupa e 15-të e Barcelonës në histori, që njëkohësisht do të thotë se ata janë skuadra më e titulluar në Spanjë në një kompeticion të tillë, duke lënë pas Realin me 13 Superkupa.

Gjithashtu, një sukses i tillë, është trofeu i parë në krye të Barcelonës për trajnerin Hansi Flick, i cili në vetëm gjysmë sezoni, ka mundur të krijojë një ekip përbindëshash në aspektin e realizimit e golave. Përgjatë rrugës së deritanishme, që mund të konsiderohet e shkurtër me në krye teknikun Flick, Barcelona ka mundur të asfaltojë me lehtësi rivalët, apo skuadrat më të mëdha që është përballur. Kujtojmë këtu suksesin 4-1 ndaj Bayern Munich në Champions League, dhe më pas, fitorja e madhe 4-0 ndaj Real Madrid në kampionat. Pra, në më pak se 3 muaj, Barcelona i ka dhënë leksion futbolli Realit të Ançelottit, duke e mundur dy herë me rezultat mjaft të thellë, e duke e dominuar ndeshjen në çdo aspect.

Këtë herë, në Arabinë Saudite, me triumfin në Superkupë dhe me një shuplakë golash të shënuar ndaj Realit, Barcelona, ka prekur një rekord të rëndësishëm në El Clasico. Për të parën herë në histori, Barcelona ka mundur të shënojë të paktën 4 gola në dy ndeshje radhazi ndaj Real Madrid, pra, 4-0 në La Liga në fundin e Tetorit, dhe 5-2 tani në Janar.

Pikërisht përgjatë këtyre 2 El Clasicove të fundit, me 9 gola, Barcelona ka shënuar aq shumë, sa nuk kishte mundur të shënonte dot në 6 ndeshjet e mëparshme ndaj Real Madrid në të gjitha kompeticionit. Përtej çdo aspekti tjetër që mund të ketë ndikuar në këtë ndryshim thelbësor, me vend është të theksohet se merita më e madhe i takon trajnerit Hansi Flick. Ky i  fundit, u shpreh mjaft i lumtur për suksesin e skuadrës, ndërsa theksoi gjithashtu se Barcelona është një ekip mjaft i ri në moshë, dhe për këtë arsye, duhet të mësojë nga çdo ndeshje që luan, e madje edhe nga ato që i fiton bindshëm, sikurse ishte ajo ndaj Real Madrid.

Nga ana tjetër, në konferencën mediatike, trajneri Carlo Ançelotti, nuk e ka drejtuar gishtin ndaj asnjë lojtari për ta vendosur përpara përgjegjësisë, por në vija të përgjithshme që tha ai dhe skuadra e tij, duhet të mësojnë nga një disfatë e tillë.