Barcelona fiton Superkupën e Spanjës, duke mposhtur në finale rivalët historikë të Real Madrid, me rezultatin 3-1. Kjo është Superkupa e 14-të e fituar nga katalanasit në historinë e kompeticionit. Asnjë klub tjetër nuk ka mundur të bëjë më mirë se kaq. Në vendin e dytë renditen Los Blancos me 12-të.
Në këtë “El Clasico” të zhvilluar në Arabinë Saudite, spikatën dy mesfushorët e talentuar të Barcelonës, Gavi dhe Pedri. Gavi shënoi golin e parë dhe më pas asistoi për dy të tjerët, që u finalizuan nga Lewandowskit dhe Pedri. 18 vjeç e 163 ditë, Gavi bëhet lojtari më I ri që shënon në një El Clasico që nga viti 2020-të, atëherë kur realizonte Ansu Fati, 17 vjeç e 359 ditë.
Kjo ndeshje ishte e një rëndësie të veçantë edhe për Sergio Busquets. Mesfushori ka luajtur tashmë 45 “El Clasico” në karrierë, barazuar rekordin e Lionel Messit dhe Sergio Ramos.
Nga ana tjetër, kjo humbje ndaj Barcelonës në një finale, ka lënë një shije të hidhur në radhët e Real Madrid. Sidoqoftë, trajneri Carlo Ançelotti është shprehur se skuadra duhet të punojë fort në repartin e prapavijës për të ndrequr disa defekte, lehtësisht të dallueshme. Gabimet e shumta të mbrojtjes këtë sezon, I kanë kushtuar Realit një sërë rezultatesh negative.