Barcelona fiton, por dëmtohet Dani Olmo

Sport

Barcelona ka marrë e vetme kreun e La Ligas në kampionatin spanjoll. Të Enjten mbrëma, katalanasit zhvilluan ndeshjen e prapambetur të kalendarit, atë ndaj Osasunës, e vlefshme për javën e 27 dhe arritën të fitonin me rezultatin e pastër 3-0.

Sfida u hap shpejt, që në mintuën e 11 me anë të Ferran Torres. Pastaj, 10 minuta më vonë, Dani Olmo shënoi nga pika e bardhë e penalltisë. Në pjesën e dytë, në të 77-tën, Robert Lewandowski realizoi edhe golin e tretë për skuadrën e tij, duke vulosur në këtë mënyrë, fitoren e 20 sezonale të skuadrës katanalase në La Liga. Kështu, Barcelona është ngjitur e vetme në krye të tabelës, në kuotën e 63 pikëve, 3 më tepër sesa Real Madrid që ndjek në vendin e dytë.

Megjithatë, kjo fitore nuk ka kaluar pa pasoja për ekipin blaugrana. Në pjesën e parë, Dani Olmo u detyrua të linte fushën e lojës si pasojë e një dëmtimi muskulor. Diçka e tillë, nuk u prit aspak mirë edhe nga trajneri Hansi Flick, i cili në konferencën për mediat u shpreh, se skuadra e tij vuajti pasojat e një kalendari aspak normal, që erdhi vetëm dy ditë pas ndeshjeve të kombëtareve.

Nga testet e para të kryera, Dani Olmo parashikohet të mungojë rreth dy javë. Kjo do të thotë se ai nuk do të jetë në disa prej ndeshjeve të ardhshme të skuadrës. Fillimisht, ndaj Gironas në kampionat, pastaj në gjysmëfinalen e kthimit Kupës ndaj Atletico Madrid. Gjithashtu, Dani Olmo nuk do të jetë as në çerekfinalen e parë ndaj Borussia Dortmund në UEFA Champions League. Spanjolli është po ashtu në dyshim edhe për çerekfinalen e kthimit.