Barcelona duhet të shesë një nga yjet e skuadrës, për të konfirmuar afrimin e Vitor Roque

Sport

Joao Cancelo dhe Joao Felix ishin dy nga afrimet më të rëndësishme të merkatos verore për skuadrën e Barcelonës. Katalanasit vazhdojnë të kenë telashe sa i përket regjistrimin të lojtarëve, ku edhe këtë herë u desh të gjenin një marrëveshje në limite për të bërë të mundur federimin e dy lojtarëve portugezë. Drejtuesit e kampionëve të Spanjës kanë bërë një punë të mirë gjatë dy viteve të fundit, për të uluë buxhetin e pagave të lojtarëve dhe stafit, nga 649 milionë euro, në 270 milionë. Por kjo ulje e ndjeshme e buxhetit duket se ka vënë në rrezik transferimin e brazilianit Vitor Roque. Sulmuesi 18-vjeçar që luan tek Athletico Paranaense pa një sërë skuadrash të mëdha të Europës të interesoheshin për shërbimet e tij, mes të cilëve edhe Real Madrid, Paris SG apo Manchester United. Por në fund, ishte Barcelona që e bindi klubin brazilian për transferimin e kartonit të sulmuesit të talentuar për shifrën e 40 milionë eurove, teksa kalimi i tij në Katalonjë supozohet të kompletohet në verën e ardhshme. Nga ana tjetër, mediat spanjolle bëjnë me dije se Barcelona është e detyruar të shesë një nga yjet e skuadrës, ose një sërë emrash të tjerë, për të krijuar hapësirat e nevojshme për federimin e Vitor Roque si një lojtar ‘blaugrana’. Për momentin, tek kampionët e Spanjës janë të qetë, pasi ka ende kohë deri në muajin janar, ku do të vendosin edhe se cilët mund të largojnë nga skuadra, në rast se do të vijnë ofertat e duhura. Ndërkohë që një mundësi tjetër është edhe afrimi i investitorëve të tjerë në klub, diçka që aktualisht shihet si një opsion i vështirë, duke njohur problemet jo të vogla të Barcelonës. Vitor Roque nga ana tjetër vazhdon të mos zhgënjejë me paraqitjet e tij me Athletico Paranaense. Edhe pse vetëm 18-vjeçar, sulmuesi është një titullar në radhët e klubit brazilian dhe në 41 ndeshje të luajtura prej tij në të gjitha kompeticionet, numëron 20 gola të shënuar e 8 asiste. Ndërkohë që në 25 mars të këtij viti, ai bëri edhe debutimin e tij në radhët e përfaqësueses së Brazilit.