Barcelona dhe skandali i rrjeteve sociale, Messi kundër Bartomeut

Sport

Situata tek Barcelona sa vjen e përkeqësohet. Sikur të mos mjaftonin mosmarrëveshjet mes lojtarëve dhe drejtuesve, tani në dritë ka dalë edhe skandali i rrjeteve sociale. Ishte radio ‘Cadena Ser’ që denoncoi pagesën prej 1 milionë eurosh që Bartomeu dhe bordi drejtues i klubit kanë paguar tek shoqëria ’13 Ventures’ për të diskretuar lojtarë të ndryshëm të katalanasve në rrjetet sociale. Pjesë të kësaj liste janë edhe emra si Lionel Messi, Gerard Pique, Xavi Hernandez, Pep Guardiola apo edhe të afërm të tyre. Fillimisht tek ‘blaugrana’-t kanë tentuar ta mohojnë një veprim të tillë, por më pas ishte vetë presidenti i cili doli hapur rreth kësaj prapaskene. Kjo ka tronditur jo vetëm lojtarët e Barcelonës, por edhe tifozët e skuadrës, që ndihen të zhgënjyer nga ky zbulim i ‘Cadena Ser’. Ish-trajneri i tyre, Guardiola, i cili është një nga mbështetësit më të mëdhenj të klubit nga Katalonja, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij duke thënë se Barcelona është ndërtuar mbi bazat e demokracisë dhe është parë prej kohësh një frymëzim për lirinë e njerëzve dhe të drejtat e tyre, por me këtë që është zbuluar, shumë gjëra vihen në pikëpyetje.
Sa i përket Messit, argjentinasi tha se vijon ta dojë Barcelonën po aq shumë sa ditën e parë, por skandali i fundit që ka përfshirë drejtuesit e klubit sigurisht ka lëkundur jo pak gjëra tek ai. Messi ka dalë edhe kundër presidentit Bartomeu, por tha se është i qetë dhe për momentin do të presë hetimet për të zbuluar të gjithë të vërtetën e kësaj historie. ‘Cadena Ser’ nga ana tjetër, raportonte se është dorëzuar një dosje prej 36 faqesh, që provon të gjitha lëvizjet e drejtuesve të Barçës për të bërë të mundur ‘përgjimin’ e lojtarëve. I gjithë ky skandal thjesht sa ka shtuar zërat për një largim të Messit në fund të sezonit, ku klauzola e kontratës së tij e lejon të largohet lirisht drejt skuadrës që dëshiron.