Barcelona dhe Real Madrid vijojnë paralelisht rivalitetin për titullin kampion. Në javën e 18-të të La Ligas, katalanasit pritën në shtëpi skuadrën e Getafes, teksa mundën të fitonin me rezultatin minimal 1-0. Golin e vetëm të sfidës së luajtur në “Camp Nou” e shënoi Pedri në minutën e 35-të. Në këtë mënyrë, mesfushori I talentuar balugrana, ia ka dalë të shënojë në dy ndeshje të njëpasnjëshme me fanellën e Barcelonës, vetëm për herë të parë që prej momentit kur është veshur kuqeblu. 3 golat e tij të fundit kanë ardhur me vetëm 3 gjuajtje në drejtim të portës, një tregues se këmbët e 20 vjeçarit kanë një saktësi të nivelit maksimal.
Në vetëm 17 ndeshje të luajtura këtë sezon, Barcelona ka arritur të grumbullojë 44 pikë, diçka që nuk kishte ndodhur asnjëherë prej sezonit 2017/18-të, atëherë kur deri në këtë fazë kishin mbledhur 45 pikë dhe në fund arritën të fitonin titullin kampion.
Me këto të dhëna kaq pozitive, skuadra e drejtuar nga Xavi Hernandez kryeson tabelën e renditjes, me 3 pikë më tepër sesa rivalët historikë të Real Madrid. Po në javën e 18-të, Los Blancos ia dolën të dilnin me pikët maksimale nga një stadium tejet I vështirë, sikurse është ‘San Mames”, duke fituar 2-0 ndaj Athletic Bilbaos. Për kampionët në fuqi të Spanjës, shënoi Karim Benzema në minutën e 24. Me këtë finalizim, francezi ka shkuar tanimë në kuotën e 228 golave në La Liga, duke barazuar legjendën Raul Gonzalez, si golashënuesi I dytë më I mirë I historisë së Realit në kampionat. Në vend të parë renditet Cristiano Ronaldo me 311 finalizime.
Në fraksionin e dytë, kur kishte vetëm 5 minuta që ishte aktivizuar në lojë, në të 90-tën, Toni Kroos shënoi të dytin për madrilenët, duke vulosur në këtë mënyrë edhe rezultatin e sfidës ndaj skuadrës baske.