Barcelona dhe Real Madrid vazhdojnë garën për titullin kampion në Spanjë

Sport

Barcelona dhe Real Madrid vazhdojnë garën për titullin kampion në Spanjë. Ndryshe nga java e 30, në javën e 31, nuk pati surpriza në rezultat. Katalanasit morën një fitore minimale 1-0 në fushën e Leganes. 3 pikët për blaugranat erdhën si pasojë e një autogoli të vendasve në nisje të pjesës së dytë, teksa Sanez e dërgoi topin në rrjetën e portës së tij. Barcelona e këtij sezoni, është skuadra që ka përfituar më shumë nga autogolat, në plot 3 raste, ndërsa Leganes, është ekipi me më shumë autogola të dhuruar këtë edicion në Spanjë.

Suksesit 1-0 të Barcelonës, iu përgjigj po me të njëjtin rezultat edhe Real Madrid, që triumfoi ndaj Alaves në transfertë. Golin e vetëm të skuadrës së Los Blancos e shënoi Eduardo Camavinga në pjesën e parë. Por, po në pjesën e parë, Kylian Mbappe u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë ekipin e tij me 10 lojtarë në fushën e lojës. Mbappe është bërë vetëm sulmuesi i dytë i Real Madrid në shekullin e 21 që merr karton të kuq në pjesën e parë. Diçka të ngjashme, i pari e ka bërë Ruud van Nistelrooij ndaj Atletico Madrid në 2008-tën.

Si pasojë e ndërhyrjes së ashpër ndaj kundërshatrit, rregullorja e futbollit spanjoll, e parashikon që lotjari mund të pezullohet deri në 3 ndeshje. Këtu përfshihen edhe kompeticionet e tjera në Spanjë, ndërsa përjashtohen ato europiane. Në rastin konkret, duke qenë se lojtari kundërshtar nuk u lëndua, Mbappe, pritet të ndëshkohet me vetëm 2 ndeshje. Kjo do të thotë se francezi do të mungojë ndaj Bilbaos dhe Getafes, ndërsa do të jetë në dispozicion për të luajtur ndaj Barcelonës në finalen e Kupës së Spanjës në 26 Prill.