Barcelona, Dembele rikthehet pas lëndimit gati të luajë

Sport

dededee

Faza 1/8-ve në Copa del Rey do të rikthejë me grupin e skuadrës së Barcelonës Ousmane Dembele-në. 20-vjecari francez, i cili kushtoi më shumë se 100 milionë euro, është riaftësuar që pas operacionit që kreu në ligamentet e gjurit në muajin shtator. Ish-sulmuesi i Dortmundit u lëndua pas vetëm 3 ndeshjesh dhe vuajti një presion të madh që pasoi operacionin e tij në Finlandë. Katër muaj pas lëndimit kundër Getafes, Dembele ka marrë dritën jeshile nga stafi mjekësor dhe do jetë gati për sfidën me Celta Vigon që Barcelona ka në Copa del Rey. Në Spanjë raportojnë se me shumë gjasa ai mund ta nisë nga stoli, ose në të kundërtën rikthimi i tij në fushë do të shtyhet për në fundjavë, kur katalanasit përballen me Levanten në La Liga. Barcelona aktualisht ndodhet 9 pikë larg vendit të dytë në kampionat dhe në muajin shkurt luan kundër Chelsea-it në fazën me eliminim direkt të UEFA Champions League. Riaftësimi i Dembelesë është një lajm i mirë për Valverden, i cili vazhdimisht është ankuar për sfilitjen e lojtarëve titullar. Në fakt trajneri katalan u detyrua të lërë në stol Lionel Messin në dy ndeshjet e fundit të Champions-it. Përpara se të lëndohej, Dembele pati asistuar 2 herë shokët e skuadrës. Dëshira e talentit me origjinë nga Mauritania është që të tregojë edhe njëherë se sa vlen dhe pse jo të rikthehet në top-formë për të merituar një vend edhe në kombëtaren e Francës në botërorin e Rusisë.