Barcelona, Dembele drejt rikthimit, Valverde thotë se do jetë gati për Chelsea-in

Sport

dembeeel

Barcelona ka marrë lajme të mira për sa i përket gjendjes së Ousmane Dembele. Francezi i cili nuk ka qenë me shumë fat që kur është transferuar te katalanasit, mund të riaftësohet plotësisht përpara sfidës me Chelsea-in në Champions League. Ka qenë trajneri Ernesto Valverde i cili ka njoftuar këtë gjë duke i dhënë edhe më shumë kurajo talentit ish-lojtar të Borussias së Dortmundit. Francezi vuajti një tërheqje muskulore në janar dhe u tha se do të qëndronte larg fushës për së paku 1 muaj. Lëndimi i tij erdhi vetëm 2 javë pas rikthimit nga operacioni në tendina që pati 4 muaj më parë. Dembele ka vuajtur një presion të jashtëzakonshëm që kur u soll në Camp Nou si zëvendësues i Neymarit. Valverde, por edhe skuadra janë përpjekur që t’i japin atij të gjithë kohën dhe mbështetjen e duhur në mënyrë që përshtatja me grupin dhe lojën të jetë sa më e lehtë. Valverde tha se Dembele është “ok”-ej dhe se ka rinisur të stërvitet me grupin. Trajneri i katalanasve shprehu dëshirën që ai të jetë me skuadrën në përballjet me Chelsea-in në Champions League dhe sipas tij gjasat janë që ai të jetë i gatshëm që në fundjavën e 17 shkurtit. Testi i parë do të jetë me Eibarin, pra 3 ditë përpara përballjes me Blutë. 20-vjecari i cili i kushtoi Barçës 140 milionë euro, ka luajtur deri më tani vetëm 8 ndeshje dhe në Champions numëron vetëm 71 minuta lojë.