Barcelona, Coutinho merr zyrtarisht numrin 7-të, që dikur u tha se i rezervohej Griezmanit

Sport

Phelippe Coutinho
Numri 7-të ishte ende i lirë te Barcelona dhe kjo gjë ishte një nga argumentat kryesore për të spekuluar rreth një transferimi të Antoine Griezman te Barcelona, por ja që edhe kësaj çështje i erdhi fundi. Phelippe Coutinho e ka marrë zyrtarisht këtë numër dhe do ta mbajë ai këtë fanellë duke nisur nga ky sezon. Gjatë muajve shkurt-mars, shtypi spanjoll spekuloi jashtë mase për faktin se Coutinho kishte zgjedhur numrin 14-të. Griezman përflitej shumë se mund të lëvizte në Camp Nou dhe ky numër u raportua se i rezervohej francezit. Por nënkampioni i botës zgjodhi të mos largohej nga Metropolitano dhe të qëndronte te Atletico e Madridit. Zgjedhja e Coutinhos për këtë numër, lidhet me faktin se jo shumë lojtarë ia kanë dalë të lënë gjurmë me këtë fanellë. Në historinë e dy dhjetëvjeçarëve të fundit, Luis Figo është i vetmi që e ka mbajtur numrin 7-të më gjatë nga të gjithë, plot 5 sezone në vitet 95-2000, përpara se të lëvizte në drejtim të Realit të Madridit. Të tjerë më pas janë Javier Saviola, Henrik Larsson, David Villa, apo dhe Pedro. Pas publikimit të fotografive të Coutinhos me fanellën e re, ky lajm zuri menjëherë faqet e para të gazetave, ndërkohë që zyrtarisht Barcelona pritet ta konfirmojë listën finale të lojtarëve dhe numrave të tyre në ditët në vijim. Për t’u konfirmuar mbeten emrat e rinj sikurse braziljanët Malcom, Marlon dhe Arthur.