Barcelona, Coutinho kryen seancën e parë stërvitore me grupin

Sport

Phelippe Coutinho

Megjithëse Phelippe Coutinho vazhdon fazën e riaftësimit nga një lëndim muskulor në kofshë, ai ka kryer tashmë seancën e parë stërvitore me skuadrën e Barcelonës. Braziliani i cili u transferua nga Liverpooli në fillim të janarit për shifrat e 120 milionë eurove dhe 40 të tjerave të premtuara bonuse, pritet të jetë i gatshëm për të debutuar në fushë më 27 janar. Lionel Messi dhe Luis Suarez, thuhet se organizuan një rreth dhe e pritën 25-vjecarin mjaft ngrohtë. Coutinho, që vjen pas 12 golash dhe 9 asistesh të realizuar vetëm gjatë këtij sezoni me Liverpoolin, thuhet se ka gjetur mbështetje të fortë, sidomos nga Luis Suarez, me të cilin në Anfield luajti rreth 2 sezone. Bashkë me Coutinhon, në seancën stërvitore ka qenë edhe mbrojtësi kolumbian Yerri Mina. I Cilësuar si pasardhësi i Iniestats, Coutinho mund të kryejë debutimin më 28 janar në sfidën që katalanasit kanë kundër Alaves në Camp Nou. Megjithëse nuk mund të luajë në Champions League, për faktin se në këtë edicion u aktivizua nga Liverpooli, Valverde beson fort se talenti i tij mund ta ndihmojë skuadrën në Copa del Rey dhe sidomos në kampionat. Sigurisht si fillim përpara mbetet përmbysja e rezultatit 1-0 të pësuar nga Espanyoli në kupë, por optimizmi është i madh në radhët e katalanasve. Ndërkohë për nga pamjet që ka servirur edhe vetë klubi, shtypi spanjoll e ka cilësuar brazilianin “aspak të lënduar” dhe më se të gatshëm për të treguar në fushë atë për çka u vlerësua më shumë se 100 milionë.