Barcelona, Coutinho do të mbajë numrin 14-të, 7-ta sërish vakante

Sport

Phelipe Coutinho

Pas shumë diskutimesh, tashmë është zyrtare. Phelipe Coutinho te Barcelona do të mbajë fanellën me numrin 14-të. Braziliani i cili përgjithësisht ka pasur në shpinë numrin 10-të, e kishte të pamundur ta merrte këtë fanellë te katalanasit, për aq kohë sa atë e mban 30-vjecari Lionel Messi. Përmes një postimi në Twitter-in zyrtar të Barcelonës, klubi ka saktësuar se “Coutinhos i shkon numri 14-të dhe po aq fanella katalanase”. Për 25-vjecarin, i cili në të kaluarën pati mbajtur fanellat me numrat 30, 29, 23, 10 dhe 7-të, përflitej shumë se do të merrte pikërisht numrin 7-të, që e mbante deri pak javë më parë Arda Turan. Por fakti se ai ka zgjedhur fanellën me numrin 14-të, të cilën e mbante veshur Mascherano, ka nxitur spekulimet se 7-ta do t’i rezervohet francezit Antoine Greizmann, megjithëse shpesh një marrëveshje për ta sjellë atë në Camp Nou është përgënjeshtruar. Duke folur sërish për Coutinhon, braziliani bëhet i 6-ti lojtar në historinë e Barcelonës që vesh këtë fanellë. 14-ta më parë mbahej veshur nga Jordi Cruyff, Amunike, Gerard Lopez, Thierry Henry dhe Javier Mascherano. 25-vjecari ka vazhduar këtë javë të stërvitet me skuadrën dhe tashmë që ka edhe një numër në fanellë, pritet të kryejë vetëm debutimin, debutim që me shumë gjasa do të jetë në fundjavë, edhe pse ai është grumbulluar edhe për sfidën e Copa del Rey me Espanyolin.