Hans-Dieter Flick, Trajner i Barcelona:
“Dihet që skuadrat italiane mbrojnë mjaft mirë dhe për këtë arsye është e vështirë të luash kundër tyre. Mirëpo Atalanta ka një stil unik, ata luajnë një kundër një, mbajnë topin, shtypin dhe janë të shpejtë në kundërsulme. Gjithsesi jemi gati të përballemi me ta. Vërtet jemi të kualifikuar, por objektivi të mërkurën në mbrëmje është të përfundojmë në vendin e dytë në renditje, edhe nëse kampionati spanjoll mbetet gjëja më e rëndësishme për mua për të fituar.
Kam respekt të madh për Gasperinin, për atë që ai ka bërë me Atalantën si klub dhe si ekip në nivel kombëtar dhe evropian. Mbi të gjitha e admiroj për të gjitha idetë që ai mishëron. Ju mund të shihni fare qartë se çfarë ndodh me ekipin, që duket se ka edhe besim të madh te trajneri. Ajo që ata kanë bërë vitet e fundit është e pabesueshme. Më pëlqen stili i lojës së tij: Është unik në Evropë dhe, për këtë arsye, nga ana jonë do të duhet të jemi mjaft të kujdesshëm në këtë përballje kundër tyre, edhe pse luajmë në shtëpinë tonë.
Sido që të jetë, e theksoj se për mua Liga spanjolle është gjëja më e rëndësishme që mund të fitojmë. Natyrisht që ka kompeticione të tjerë si Kupa e Mbretit apo Liga e Kampionëve, që është edhe më e vështira për t’u fituar sepse ka shumë skuadra të mëdha që garojnë aty. Por për ne është primar titulli kampion!”.
Alejandro Balde, lojtar i Barces:
“Çfarë mendoj për lojën e Gasperinit?! Nuk ia kam idenë. Nuk e kuptoj për cilin lojtar e keni fjalën… Nuk e di për cilin lojtar po flisni. Për cilin lojtar e kishit fjalën? Kush është ky?! Sinqerisht nuk e njoh. Nuk di çfarë të them sepse nuk e njoh… Nuk di çfarë të them! Ajo që di të them është se na pret një lojë shumë e rëndësishme përpara. Kemi kaluar, por jemi në krye dhe do të shkojmë për tri pikët. Ne jemi një skuadër e re dhe gjithmonë duam të fitojmë. Kemi një ekip për të bërë gjëra të mëdha. Ne kemi fituar Superkupën, e para të sezonit, dhe ka ende një rrugë të gjatë për të bërë në Ligën e Kampionëve, ku po bëjmë mirë. Kemi mundur disa ekipe të shkëlqyera dhe duhet të mendojmë se mund të fitojmë gjithçka”.
Gianpiero Gasperini, trajner i Atalanta:
“Për ne është një sfidë të përballemi me një ekip si Barcelona. Nëse fitojmë, do të mposhtim një nga ekipet më në formë në botë. Kalendari ynë ishte shumë i vështirë, me Real Madridin, Arsenalin dhe të tjerët. Por për mua, është e rëndësishme të masim veten me Barcelonën dhe të shohim nivelin tonë të vërtetë. Ata janë mjaft të bukur për t’u parë, për siç kanë luajtur gjithmonë, për finalizimin që kanë treguar këtë vit. Është një mënyrë për të matur veten kundër skuadrave të tilla, për të kuptuar sa konkurrues jemi.
Barcelona? Hansi Flick ka ndërtuar një ekip të mrekullueshëm. Barça gjithmonë luan mirë dhe gjithmonë ka talente të rinj. Ata janë të gjithë lojtarë të shpejtë, të shpejtë dhe teknikë. Ata gjithmonë prodhojnë talente të jashtëzakonshme dhe kjo është kulmi në futboll. Nuk mendoj se Barcelona do bëjë dhurata… Ata që e thonë këtë janë me të vërtet bezdisës. Unë jam munduar gjithmonë të përmirësoj skuadrën, me vështrim nga objektivat që i kemi vënë vetes.
Merkato e janarit? Gjithmonë është një dritare transferimesh, nuk duhet të ketë konflikt mes trajnerit dhe klubit, duhet të vazhdojë rrugëtimi dhe të bëhet më e mira, nuk është një dhuratë për të m’u bërë mua. Cilin do dëshiroja nga Barcelona? Ne nuk blejmë, ne shesim…. Më thoni ju cilin do të dëshironit.
Berat Gjimshiti, lojtar I Atalantes:
“Fryma dhe shpirti luftarak në fushë do të jetë gjithmonë i njëjtë, sikur të luanim kundër Como-s. Kemi bërë një rrugëtim të bukur në këtë Ligë të Kampionëve. Do të jetë ndeshja e fundit e fazës së ligës dhe jemi gati të tregojmë se Atalanta meriton të jetë aty ku është. Ne sulmojmë me 11 dhe mbrojmë me 11. Është çështje skuadre, jo individuale. Ne mbrojmë dhe sulmojmë si skuadër, Dimë t’i bëjmë mirë të dyja fazat. Sigurisht që e dimë të gjithë cilësinë e Barcelonës. Ata së fundi kanë shënuar shumë gola, pasi kanë sulmues të cilësisë së lartë. Por mund t’ia dalim me sukses, nëse përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin. Edhe ne nuk jemi keq në shifra, sa I takon sulmit. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur. Është bukur të dëgjosh se ka shumë tifozë që vijnë nga Bergamo, është një krenari të dëgjosh që ka kaq shumë tifozë në Barcelonë. Kemi pasur gjithmonë mbështetje nga tifozët dhe kjo na jep një shtysë më shumë, duke u munduar të dhurojmë emocione”.