Barcelona afrohet me titullin, tjetër ndalesë e Real Madrid

Sport

Barcelona afrohet më tepër me titullin kampion. Në javën e 24 të kampionatit, katalanasit triumfuan me rezultatin 1-0 në shtëpi ndaj Valencias, me golin e shënuar që në minutën e 15-të të pjesës së parë nga Raphinha, me rezultatin që më pas mbeti i pandryshuar deri në fërshëllimën e fundit.

Në fraksionin e dytë, të zotët e shtëpisë shpërdoruan një mundësi mjaft të mirë për të dyfishuar shifrat nga pika e bardhë e penalltisë. në të 55-tën, Ferran Torres u tregua i pasaktë nga 11 metra. 4 minuta më vonë, mbrojtësi i Barcelonës, Roland Araujo u ndëshkua me karton të kuq, për shkak të një ndërhyrjeje të gabuar ndaj kundërshtarit.

Nuk ndodhte që nga viti 2007-të, që Barcelona të ndëshkohej me të kuq dhe të shpërdoronte një penallti brenda një ndeshjeje në La Liga.

Kjo ishte fitorja e 8-të sezonale e Barcelonës këtë sezon në kampionat, e fituar me rezultatin 1-0. Asnjëherë më parë në historinë e kompeticionit, katalanasit nuk kishin fituar kaq shumë ndeshje me këtë rezultat minimal.

Më tej, Xavi Hernandez është bërë trajneri i 3-të i Barcelonës me të paktën 50 ndeshje në La Liga, që zotëron përqindjen më të lartë të fitoreve, pas Pep Guardiolës dhe Luis Enriques me 76.3%. Ndërsa fitoret e vetë Xavit arrijnë deri në masën 74%.

Pas këtij suksesi, Barcelona udhëheq me 62 pikë në 24 javë, 9 më tepër sesa Real Madrid i vendit të dytë, që tashmë regjistron vetëm 2 fitore në 5 ndeshjet e fundit. Në takimin e javës së 24, Los Blancos u ndalën në barazim 0-0 në transfertën andaluziane të Real Betis. Kjo ishte ndeshja e 2-të radhazi që Reali nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës, aq sa nuk ia kishin dalë të shënonin në 39 takimet e tyre të mëparshme në të gjitha garat.