Barazimi 2-2 i Interit në shtëpi, përballë skuadrës së Bologna, ka lënë një shije të hidhur në kampin zikaltër. Në vetëm 13 minuta, nënkampionët e Europës kaluan në epërsi të dyfishtë, epërsi që nuk arritën të mbronin dot deri në fund. Pikërisht për mënyrën sesi shkoi loja, zhgënjimi tashmë është prezent në radhët e gjigantëve të Milanos.
Mediat përtej detit, nuk bërë një pasqyrim të përgjithshëm të situatës dhe fatura e përgjegjësisë bie mbi trajnerin Simone Inzaghi. Patjetër që ka marrë meritat e tij sa herë që skuadra ka korrur sukses, por 47 vjeçari konsiderohet fajtor në momentin kur skuadra ndodhet në vështirësi dhe nuk dallohet për ndonjë strategji të veçantë në skemat e tij.
Inzaghi i beson verbërisht rreshtimit 3-5-2 dhe nuk heq dorë në asnjë moment prej saj, qoftë edhe gjatë ndeshjes. Edhe me ndërrimet që kreu ndaj Bolognas, numri një i stolit të Interit, e mbajti ekipin në fushë, po me të njëjtin rreshtim, duke zëvendëruar lojtarët e krahut, e duke shpresuar që prej andej të vinte edhe goli i fitores.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi, me Inzaghin që me këmbënguljen në skemën e zakonshme, ua bënë më të lehtë edhe kundërshtarëve për të marrë masa. Pra, thënë më thjesht, skuadra e Simone Inzaghit bëhet shumë e lexueshme në lojë dhe për këtë arsye, e ka shumë të vështirë që ndonjëherë të zgjidhë situata të ndërlikuara.
Në përfundim të sfidës ndaj skuadrës nga Emilia-Romagna, 47 vjeçari mori përsipër përgjegjësinë e pikëve të lëna dhe më tej, refuzoi të komentonte edhe punën e arbitrave. Inzaghi u shpreh se ishte vetë Interi fajtori kryesor që nuk mori 3 pikë dhe jo arbitrimi.
Në 8 javë, skuadra zikaltër, klasifikohet në vendin e 2-të me 19 pikë, dy më pak sesa Milani kryesues. Në ndeshjen e javës së ardhshme, Interi do të vizitojë Torinon në transfertë.