Barazim dramatik mes Everton dhe Liverpool në “Goodison Park”

Sport

Barazim dramatik mes Evertonit dhe Liverpool në derbin e Merseyside. Të dyja skuadrat, u përballën me njëra-tjetrën në Goodison Park, në atë që ishte një ndeshje e prapambetur e kampionatit, e vlefshme për javën e 15, por që nuk u realizua sipas programit, për shkak të kushteve të paqëndrueshme atmosferike.

Të Martën mbrëma, në shtëpinë e Evertonit pati gola, spektakël, por nuk pati fitues, pasi gjithçka u mbyll në barazim 2-2. Beto kaloi fillimisht në epërsi të zotët e shtëpisë që në minutën e 11, kurse vetëm 5 minuta më vonë, Mac Allister barazoi rezultatin. Më pas, në të 73-tën, Mohamed Salah i dha avantazhin Liverpoolit, që u duk sikur do të dilte triumfues nga derbi. Por, të zotët e shtëpisë, nuk e kishin thënë ende fjalën e fundit. në të 8-tën minutë të shtesës, Tarkoëski barazoi shifrat, duke çuar peshë stadiumin Goodison Park.

Në fund të ndeshjes pati edhe tension mes futbollistëve të të dyja skuadrave, teksa situata u përshkallëzua deri në përplasje fizike, e si pasojë nuk u kursyen as kartonët e kuq.

Everton – Liverpool është ndeshja me më shumë kartonë të kuq në historinë e Premier League, plot 25 të tillë, ndërsa e dyta është sfida mes Liverpool dhe Manchester United me 18 kartonë të kuq.

Më tej, kjo ndeshje, ishte gjithashtu e fundit e luajtur në Goodison Park. Në atë stadium, derbi i Merseyside është luajtur 120 herë në të gjitha kompeticionet dhe të dyja ekipet kanë arritur të marrin nga 41 fitore secila, kurse në 38 raste të tjera, sfida është mbyllur në barazim.

Sa i përket klasifikimit, Evertoni tashmë është shkëputur ndjeshëm nga zona e kuqe, plot 10 pikë. Blutë renditen në vendin e 15 me 27 pikë. Kurse Liverpool është i pari në tabelë me 57 pikë, 7 më tepër sesa Arsenali i vendit të dytë.