Bale shpëton Realin kundër Villareal, por ndëshkohet me të kuq për 2 minuta

Sport

Një muaj më parë ai ishte një lojtar në largim, por ja që Gareth Bale është për momentin elementi më i rëndësishëm për Real Madrid, të paktën derisa Eden Hazard të kthehet nga dëmtimi. Uellsiani jo vetëm që ka bindur me lojën e tij, por ishte vendimtar me një dy-golësh në transfertën e vështirë me Villareal.
Skuadra e Zidane u gjend në disavantazh në dy raste, por Bale ia doli të shfrytëzonte më së miri asistimet e Carvajal dhe Luka Modric, ndonëse në fund të lojës do të bëhej protagonist në mënyrë negative. Uellsiani u ndëshkua me dy kartona të verdha brenda dy minutave, duke dalë nga loja me një buzëqeshje ironike, që sigurisht mediat e ka përshkruar si një mesazh për trajnerin Zidane.


Tek Real Madrid janë të shqetësuar tek forma aktuale e skuadrës, pasi pavarësisht blerjeve të reja, diferenca për momentin bëhet nga ‘garda’ e vjetër, për më tepër nga një lojtar si Bale, që ishte i padëshiruar nga Zidane. Golat e shënuar kundër Villareal e çojnë Bale në kuotën e 104 golave me fanellën e Real Madrid, çfarë e barazon me një legjendë si fenomeni brazilian, Ronaldo.
Në gjashtë vite, Bale ka luajtur në nivele të larta sa herë që i është dhënë mundësia, por episodet e ndodhura gjatë verës kanë lënë një shije të keqe, njësoj si kartoni i kuq i marrë së fundmi kundër Villareal. Ndëshkimi i Bale ishte mëse i evitueshëm, pasi uellsiani bëri ndërhyrje krejtësisht të panevojshme.


Megjithatë, mediat spanjolle thonë se sfida e fundit e ‘los blancos’ ishte pasqyra më e mirë e situatës në dhomat e zhveshjes dhe presidenti Perez po mendon të ndërhyjë personalisht për t’i dhënë një zgjidhje këtyre problemeve.