Real Madrid u rikthyer tek fitorja teksa mposhti në Santiago Bernabeu skuadrën e Villareal, me rezultatin 3-2. Takimin për madrilenët e vendosën Jesus Vallejo dhe një dy-golësh i Mariano Diaz, ndërsa tek ‘nëndetësja e verdhë’ shënuan Moreno dhe Costa. Megjithatë ajo që ra më shumë në sy në këtë ndeshje ishte mungesa e Gareth Bale. Uellsiani nuk ishte pjesë e listës së përzgjedhur nga trajneri Zinedine Zidane dhe ky përjashtim i Bale nuk ka të bëjë me ndonjë dëmtim apo problem fizik të lojtarit. Është vetë Zidane që ka deklaruar se Bale është lënë jashtë skuadre sepse kështu është parë e arsyeshme nga ai dhe stafi i tij. Francezi tha se ka si detyrë të zgjedhë skuadrën përpara çdo ndeshjeje dhe Bale kësaj radhe nuk ishte pjesë e planeve.
I ngacmuar nga gazetarët nëse ky ishte një mesazh për uellsianin, Zidane ruajti qetësinë duke thënë se kushdo mund ta interpretojë si të dojë, por vetë lojtari është i ndërgjegjshëm për të vlerësuar situatën. Më pas trajneri i Real Madrid u ndal tek paraqitja e mirë e Mariano Diaz, ku tha se sulmuesi thjesht nuk ka patur kohën dhe besimin e duhur për të dhënë më të mirën e tij. Sipas Zidane, Diaz është një sulmues mjaft potent që mund të jetë mjaft i vlefshëm për skuadrën e tij. Në ndeshjen me Villarealin u rikthyer të luajë edhe Vinicius Junior, i dëmtuar në sfidën kundër Ajax-it në Champions League para disa javësh.