Bekim Balaj rikthehet protagonist, përmes golave në kampionatin austriak. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare gjeti dy herë rrugën e rrjetës në përballjen që Shturm Graci luajti të dielën në transfertë ndaj Altach dhe që ishte e vlefshme për javën e 6-të. Së pari, shkodrani në minutën e 30-të mori një asist nga Hierlander, i cili dha krosimin e duhur për shkodranin, që goditi saktësisht me kokë duke mposhtur portierin kundërshtar. Ai përsiti veten edhe 5 minuta nga fundi i ndeshjes, kur realizoi golin tjetër që fiksoi suksesin e vyer të Shturmit, që tashmë mban vendin e katërt në renditjen e kampionatit austriak, me 14 pikë, 4 më pak sesa Salsburgu kryesues.
Ajo çka bie në sy është fakti se shkodrani i sulmit shqiptar ka arritur të shënojë 3 gola në 5 ndeshje të luajtura deri tani në Bundesligën austriake. dërsa kishte mundur të realizonte edhe në javën e 2-të, sërish në transfertë përballë Volsburger, duke i dhënë edhe atëherë fitoren Shturmit. Një sinjal ky që tregon se kalimi në futbollin austriak i ka bërë mirë, pas një periudhe me Akhmat Groznin në Rusi ku qendroi jashtë si pasojë e problemeve fizike. Kjo formë që po kalon tashmë Balaj është padyshim edhe një lajm i mirë për Kombëtaren e drejtuar nga Edy Reja, që fillon këtë javë përgatitjet për 2 ndeshjet e radhës kundër Francës dhe Islandës, të vlefshme për eleminatoret e Euro 2020.