Bekim Balaj duket po nis të kthehet vendimtar për skuadrën e Akhmat Groznit. Sulmuesi shkodran ka shënuar golin e barazimit për çeçent, në sfidën ndaj Ural, të vlefshme për kampionatin rus të futbollit. Lojtari i Kombëtares kuqezi nuk ka gabuar nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 55-të, duke e çuar topin në rrjetë, aq sa zhvlerësoi golin e shënuar në pjesën e parë nga skuadrës mike, që është një rival direkt për të evituar zonën e rënies nga kategoria.
Goli i tij i dha 1 pikë Akhmat Groznit, duke e mbajtur përsëri larg zonës së rrezikshme të klasifikimit.
Për Balajn ky është një çlirim, pasi shkodrani nuk ka arritur të shënojë asnjë gol këtë sezon në kampionatin rus. Ndërsa realizimi i tij i vetëm është në shtator të vitit të shkuar në një ndeshje për kupë, ndërkohë që në kampionat për herë të fundit kishte shënuar në maj të vitit 2017. Gjithashtu, sulmuesi i përfaqësueses shqiptare kishte shënuar me rregullsi gjatë miqësoreve përgatitore para rinisjes së kampionatit rus. Dëmtimet e kanë penalizuar gjatë këtyre muajve Balajn, i cili shkëlqeu në vitin e parë dhe shënoi 9 gola në Rusi.