Bekim Balaj është rikthyer tek rruga e golit, teksa ka shënuar për Sturm Graz përballë Admiras, në sfidën e vlefshme për javën e 9-të të kampionatit austriak. Sulmuesi shqiptar u bë autor i golit të dytë në këtë ndeshje, sakësisht në minutën 48’. Për shkodranin, i cili e nisi si titullarë këtë duel, ishte goli i katërt që ka shënuar në planin personal, që nga transferimi i tij në ligën e parë të Austrisë, gjatë verës së këtij viti. Skuadra mike reagoi me një gol në minutën 53′, por pa kaluar 60 sekonda, Strum Graz ka shënuar edhe të tretin. Ndërkohë që përfundimisht janë fiksuar shifrat 4-1 në favor të skuadrës së Balajt.
Realizimi i tij tregon edhe një herë formën e mirë që po kalojnë sulmuesit shqiptarë nëpër kampionatet evropiane gjatë kësaj periudhe. Pavarësisht se Balaj kishte gati 4 javë që nuk shënonte. Gjithsesi, në 9 ndeshje të deritanishme të kampionatit austriak, shkodrani ka arritur të realizojë katër herë për Shturmin, duke u shndërruar kështu në një nga lojtar të rëndësishëm në repartin sulmues për skuadrën nga Graci që renditet në vendin e pestë deri tani.