Bakaj shënon tjetër gol në Bjellorusi

Sport

Elis Bakaj mund të thuhet se ka bërë nxehmjen në mënyrën më të mirë, për ndeshjen e kthimit që e pret të të enjten përballë Torinos, sa i takon turit të tretë të Ligës së Europësm. Pikërisht, Shakhtar Soligorsk, pasi u mund thellë me shifrat 5-0 në Itali, ka në program gjatë kësaj jave edhe ndeshjen e kthimit përballë skuadrës së Macarrit, ku do të tentojë që të paktën të bëjë një figurë të mirë para tifozerisë së vet. Bakaj, i cili mori vlerësime edhe në ndeshjen e parë, të hënën zbriti në fushë për duelin e vlefshëm për kampionatin bjellorus, që pa Shakhtar të fitonte fare lehtësisht me rezultatin e thella 6-0 ndaj Neman.

E kështu ka arritur të marrë edhe suksesin e tretë radhazi gjithmonë përsa i takon kampionatit. Konkretisht ishte Bakaj ai që hapi serinë golave me një penallti në minutën e 7-të të ndeshjes, duke fiksuar goli i tij numër 7 deri tani në kampionat. Gjithashtu, më minutën e 45-të, tiranasi u bë autori i asistit për golin e katërt të shënuar nga skuadra e tij, që dominoi totalisht ndeshjen si në lojë, ashtu edhe në rezultat. Jo më kot, pas 45 minutave të para të takimit, trajneri i Soligorsk vendosi që Bakajn ta mbante pushim, pasi kështu do ta ketë më të freskët për ndeshjen kundër Torinos.